Hetuesit e Inspektoratit Policor arrestojnë një zyrtar policor me dyshimin për “rrezikim të trafikut publik”.
IPK është informuar nga Policia e Kosovës për një aksident me lëndime të rënda trupore në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë ku në aksident është i përfshirë një zyrtar policor me veturë civile dhe jashtë detyrës zyrtare.
Aksidenti raportohet të ketë ndodhur rreth orës 23:00 të datës së djeshme ku janë përfshirë katër automjete.
IPK menjëherë i është përgjigjur rastit përderisa 5 personat e lënduar në këtë aksident janë dërguar për tretman mjekësor.
Si pasojë e lëndimeve trupore një shofer i njërit nga automjetet e përfshira në këtë aksident raportohet fatkeqësisht se ka humbur jetën sot.
“Bazuar në veprimet hetimore dyshohet se shkaktar i aksidentit është zyrtari policor i cili është arrestuar sot në orët e mbrëmjes me dyshimin se ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, njofton Inspektorati i Policisë.
Atij i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente.







