
Xhelal Rraja, një prej të shpallurve në kërkim nga SPAK për operacionin “Revanshi”, është arrestuar ditën e sotme nga policia. Rraja, vëllai i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja, akuzohet se në bashkëpunim me “të fortin” e Fushë Krujës dhe ish-kreun e bandës së Durrësit, Indrit Doklen, kishin planifikuar vrasjen e ish-deputetit socialist Arben Ndoka.
Plani për vrasjen e këtij të fundit, ishte bërë pasi Ndoka kreu atentat ndaj Bamit në 2020-ën, pasi e cilësonte këtë të fundit si ekzekutor të vëllait të tij, Aleksandër Ndoka në dhjetor të vitit 2017.
Sipas dosjes hetimore që nisi operacionin “Revanshi” kundër 7 grupeve kriminale, e cila përfshin aktivitete kriminale prej pak më shumë se një vit nga fillimi i vitit 2020 deri në fillimin e vitit 2021, Bami u vu nën shënjestër për t’u ekzekutuar nga Arben Ndoka, për shkak se Ndoka dyshonte se ishte organizator i vrasjes së vëllait të tij Aleksandër Ndoka. Atentati ndaj Bamit në nëntor 2020 dështoi, gjë që solli plane nga ana e Bamit për të vrarë Arben Ndokën.
Nga hetimet e SPAK rezulton se Arben Ndoka ishte planifikuar të ekzekutohej në janar 2021, “kur ky të shkonte për kafe dhe qokë në Rrugën e “Elbasanit”, pasi kishte vdekur një gjyqtar nga Lezha.” Versus.al







