
Me urdhër të kryeministrit Edi Rama, Afrim Qendro është emëruar në krye të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
Qendro njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Ramës që prej kohës kur drejtonte bashkinë e Tiranës. Ndër vite ka mbajtur një sërë detyrash nga koordinator elektoral i PS në qarqet e Tiranës e Vlorës deri në drejtimin e Inspektoriatit Ndërtimor në kryeqytet.
Gjithashtu ka qenë drejtues i Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe nënkryebashkiak i Vlorës para se të emërohej prefekt në Tiranë. Versus.al

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për tre nga të arrestuarit në kuadër të megaoperacionit të SPAK për goditjen e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave.
Në seancën për vlerësimin e masave të sigurisë, gjykata vendosi të mbajë në burg Orest Sotën, Orgest Birçajn dhe Dritan Agën. Ndërkohë, për Gëzim Islamin u vendos lirimi për arsye shëndetësore kundrejt një garancie pasurore prej 100 mijë eurosh.
Katër të arrestuarit dolën para Gjykatës së Posaçme këtë të shtunë, ndërsa seanca nisi në orën 09:00. Procesi u ndërpre për rreth dy orë pas kërkesës së avokatëve mbrojtës, të cilët kërkuan kohë për t’u njohur me aktet hetimore të dosjes.
Pas rifillimit të gjykimit, trupa gjykuese shqyrtoi kërkesat e palëve dhe vendosi masat e sigurisë për secilin prej të dyshuarve.
Në sallëne gjyqit ishin të pranishëm kreu i SPAK, Altin Dumani, prokurorja Elida Kaçkini dhe gjyqtarja Flojera Davidhi.
Megaoperacioni i SPAK ka në fokus goditjen e grupeve të përfshira në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe skemat e dyshuara të pastrimit të parave përmes investimeve në sektorin e ndërtimit. Hetimet për këtë çështje vijojnë.Versus.al

