AKTUALITET /

2 orë leje çdo të premte për të falur namazin, propozohet pushim për besimtarët myslimanë

Shkruar nga Versus

2 orë leje çdo të premte për të falur namazin,

Të gjithë punonjësit të cilët praktikojnë fenë islame do të mund të përfitojnë të drejtën që të bëjnë dy orë pushim mesditën e çdo të premtje për të kryer faljen e namazit të xhumasë.

Dje në Kuvend, u prezantua një projektligj nga deputeti i PD Lefter Gështenja që parashikon disa ndryshime në Kodin e Punës me qëllim fokusimin në respektimin e të drejtave fetare të punonjësve të besimit islam.

Projektligji thotë se në çdo kompani private apo publike ku më shumë se 50 punonjës janë të besimit islam, këta të fundit kanë mundësinë që të marrin leje për 2 orë për të falur namazin.

Madje në komisionion për Punën dhe Çështjet Sociale, u diskutua edhe detyrimi që u vendoset punëdhënësve për të ofruar hapësira për falje në rast se kanë më shumë se 50 punonjës të besimit mysliman.

Pasi Gështenja prezantoi nismën, disa prej deputetëve shprehën shqetësimin lidhur me mundësinë e abuzimeve. Shpresa Marnoj ngriti pikëpyetjen sesi do të kontrollohet zbatimi i kësaj nisme duke sjellë në vëmendje edhe mundësinë që të ketë abuzime me këtë leje.

“A është parashikuar se si mund të kontrollohet kjo gjë? Sepse kur vjen fjala pastaj një shkëputje nga puna, apo një orë pushimi mund të abuzojnë, ose të kërkohet që të bëhet edhe nga punonjës të tjerë, që mbase nuk e duan për atë arsye, por që të abuzohet dhe të vazhdojnë të shkëputen nga ora e punës”,- u shpreh Shpresa Marnoj.

Ndërsa deputeti Lefter Gështenja e përqendroi argumentin e tij tek morali fetar duke thënë se një person që beson në Zot nuk kryen abuzime të tilla.

“Për sa i përket, se si do të verifikohet. Unë nuk besoj se dikush deklaron që një i punësuar do të shkoj në xhami, të falë namaz 2 orë, do gënjej. Sepse flasim për njerëz që besojnë në Zot”-u përgjigj Gështenja.

Kundërshti hasi edhe nga deputetja e PS Milva Ekonomi e cila i kujtoi Gështenjës se Kushtetuta e përcakton Shqipërinë si shtet laik dhe se shteti nuk duhet të ndërhyjë në çështjet që lidhen me besimin fetar.

“Po të ishit referuar, kemi një nen të caktuar që Republika e Shqipërisë është një republikë laike. Dhe shteti është neutral, shteti na lë për besimin si të duam vetë. Nuk ndërhyn shteti atje”, tha Milva Ekonomi. Versus.al

Poll