
Në të gjithë vendin do të mbahen aktivitete festive në nder të 113 vjetorit të pavarëisë së Shqipërisë. Festimet nisën që prej mbrëmjes së djeshme në Shkodër me “sofrën e pavarësisë”. Sot do të vijojnë në të gjithë vendin duke kulmuar në Vlorë e cila si zakonisht do të kthehet në “kryeqytet” për 28 nëntorin.
Ceremonia zyrtare e ngritjes së flamurit në Vlorë do të nisë në orën 10:00 me nderime tek varri i Ismail Qemalit, parada, ekspozita, panaire, shfaqje folklorike, koncerte rinore dhe koncertin e madh festiv në mbrëmje.
Edhe Tirana do të jetë e mbushur me aktivitete duke nisur festën në orën 10:00 me ceremoninë e nderimit të flamurit. Zona e Pazarit të Ri do të shndërrohet në një hapësirë të madhe festive me aktivitete tradicionale ku të rriturit dhe fëmijët do të shijojnë gatime shqiptare e performance folklorike.
Në bulevard, tek instalacioni “Trumpeta”, Ansambli Popullor i Tiranës do të sjellë një performancë të veçantë që premton emocione dhe atmosferë të ngrohtë. Një koncert i dedikuar fëmijëve do të zhvillohet në Kopshtin Zoologjik, ndërsa Parku Rinia do të presë një sërë aktivitetesh të hapura për të gjithë publikun. Versus.al

