AKTUALITET /

"28 nëntori", aktivitete në të gjithë vendin, Vlora "kryeqytet" për Ditën e Flamurit! Politika uron festën

Shkruar nga Versus

"28 nëntori", aktivitete në të gjithë vendin,

Në të gjithë vendin do të mbahen aktivitete festive në nder të 113 vjetorit të pavarëisë së Shqipërisë. Festimet nisën që prej mbrëmjes së djeshme në Shkodër me “sofrën e pavarësisë”. Sot do të vijojnë në të gjithë vendin duke kulmuar në Vlorë e cila si zakonisht do të kthehet në “kryeqytet” për 28 nëntorin.

Ceremonia zyrtare e ngritjes së flamurit në Vlorë do të nisë në orën 10:00 me nderime tek varri i Ismail Qemalit, parada, ekspozita, panaire, shfaqje folklorike, koncerte rinore dhe koncertin e madh festiv në mbrëmje.

Edhe Tirana do të jetë e mbushur me aktivitete duke nisur festën në orën 10:00 me ceremoninë e nderimit të flamurit. Zona e Pazarit të Ri do të shndërrohet në një hapësirë të madhe festive me aktivitete tradicionale ku të rriturit dhe fëmijët do të shijojnë gatime shqiptare e performance folklorike.

Në bulevard, tek instalacioni “Trumpeta”, Ansambli Popullor i Tiranës do të sjellë një performancë të veçantë që premton emocione dhe atmosferë të ngrohtë. Një koncert i dedikuar fëmijëve do të zhvillohet në Kopshtin Zoologjik, ndërsa Parku Rinia do të presë një sërë aktivitetesh të hapura për të gjithë publikun.

Për ditën e veçantë ka patur urime nga politikanët shqiptarë. "MIRËMËNGJES dhe Gëzuar Ditën e Pavarësisë"- shkroi shkurtimisht kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale. 

Kryeparlamentari Niko Peleshi me anë të një video të akteve themeluese të shtetit shqiptar shprehu nderim për themeluesit e shtetit shqiptar për vizionin e tyre.  

“Nga faqet që shkruan historinë, te dita që na bashkon të gjithëve! Dokumentet themeluese të shtetit shqiptar mbeten busulla jonë historike, duke na kujtuar se liria dhe shtetësia jonë nisën pikërisht nga këto faqe që i dhanë formë Shqipërisë.

Ato shënojnë momentet tona më të rëndësishme identitare dhe ambicien për një Shqipëri të lirë, sovrane dhe europiane. Nderim për themeluesit tanë dhe rrugën shtetformuese që ata shtruan me vizion e guxim. Gëzuar Ditën e Pavarësisë!”- shkruan Peleshi.

Edhe ish-presidenti Ilir Meta ka uruar shqiptarët për festën e cila e gjeti në burg për të dytën herë që pas arrestimit të tij më 21 tetor 2024. Meta shkruan se patriotizmi duhet të mbetet pishtari i përhershëm i shqiptarëve.

“Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar, simbolit më përbashkues, më të shenjtë dhe më të dashur për çdo shqiptar kudo ndodhet. Si çdo 28 Nëntor, përulemi me respekt dhe nderim të thellë para veprës së pavdekshme të Gjergj Kastriot Skënderbeut, Ismail Qemalit, Isa Boletinit dhe Adem Jasharit, që me qëndresë, sakrifica sublime dhe vizion mbrojtën identitetin dhe dinjitetin e kombit shqiptar.

Përjetë mirënjohës Atit të Shqipërisë dhe themeluesit të shtetit tonë modern, Ismail Qemalit, i cili 113 vite më parë, së bashku me Etërit e Pavarësisë, shpallën në Vlorë më 28 Nëntor 1912 Pavarësinë e Shqipërisë.

Patriotizmi, sakrificat dhe gjaku i derdhur për Flamurin Kombëtar duhet të mbeten pishtari ynë i përhershëm, drita që na ndriçon mendjet, na hap sytë dhe na udhëheq drejt rrugës së drejtë për të mbrojtur Shqipërinë, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, ku sot dhe mot pas moti shqiptarët dhe fëmijët e tyre meritojnë të jetojnë në liri, me dinjitet, krenarë dhe të begatë. Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Shqipëria jonë e dashur!”- shkruan Ilir Meta. Versus.al

Poll