AKTUALITET /

52 kate kullë në Tiranë për Redi Strugën dhe Genc Kuçukun! Paratë e kujt po pastrohen?!

Shkruar nga Versus
52 kate kullë në Tiranë për Redi Strugën dhe Genc
Redi Struga

Një tjetër projekt gjigant ndërtimi është miratuar në zemër të Tiranës, këtë herë përgjatë Bulevardit të Ri.

Shoqëria “Smart Construction Invest” sh.p.k e Redi Strugës dhe “Progeen” sh.p.k e Genc Kuçukut kanë marrë lejen e zhvillimit për objektin “Tirana New Boulevard”, një kompleks me funksion rezidencial dhe shërbimesh, që do të përfshijë ndërtesa me 41 dhe 44 kate mbi tokë dhe 8 kate nëntokë, duke e pozicionuar projektin si një nga më të mëdhenjtë e kryeqytetit.

52 kate kullë në Tiranë për Redi Strugën dhe Genc
Projekti: Tirana New Boulevard

Leja është dhënë nga Këshillit Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) dhe objektet do të ngrihen në një zonë me rëndësi urbane të veçantë, e cila prej vitesh përmendet në strategjitë e zhvillimit si pjesë e “fytyrës së re” të kryeqytetit. Kulla do të jetë një ndër më të lartat në Shqipëri.

Ajo që ka ngjallur vëmendje është fakti se një projekt me përmasa të tilla i është besuar dy kompanive që sipas të dhënave zyrtare, nuk kanë kapacitetin financiar për të përballuar ndërtimin e një kulle 52-katëshe.

Konkretisht, “Smart Construction Invest” është themeluar në vitin 2021, me aksioner të vetëm shtetasin Redi Struga. Për vitin 2022, kjo kompani ka deklaruar të ardhura prej 28 milionë lekësh dhe kapital vetëm 100 mijë lekë, çka bie në kontrast të thellë me koston shumëfish më të lartë të projektit për të cilin është angazhuar.

52 kate kullë në Tiranë për Redi Strugën dhe Genc
Në foto: Redi Struga

Ndërkohë, kompania e dytë, “Progeen”, administrohet nga inxhinieri Genc Kuçuku dhe ka arritur të shënojë një xhiro prej 1.2 miliardë lekësh, por sërish nuk ka kapital të mjaftueshëm për të përballuar ndërtimin e një superkulle të tillë.

Ky fakt ngre pikëpyetje serioze mbi mekanizmin e dhënies së lejeve për projekte të mëdha, në një kohë kur besueshmëria financiare e zhvilluesve është thelbësore për përfundimin dhe sigurinë e ndërtimeve urbane të Tiranës./JOQ

Poll