AKTUALITET /

Kodi i ri Penal “ndëshkon” më rëndë votuesin sesa politikanin: 6 vite burg kush blen vota, 7 për atë që e shet

Sipas nenit 296 të draftit të ri, kushdo që pranon të shesë votën apo firmën e tij në këmbim të përfitimeve materiale, favore apo premtime të tjera, mund të dënohet me burgim nga 2 deri në 7 vite.

Shkruar nga Versus

Kodi i ri Penal “ndëshkon” më rëndë votuesin

Një nga ndryshimet më të debatueshme në projekt-Kodin e ri Penal është rritja e dënimeve për korrupsionin zgjedhor, por në një mënyrë që ka ngritur pikëpyetje serioze për barazinë para ligjit: një qytetar që shet votën mund të përfundojë në burg për më shumë vite sesa një politikan që e blen atë.

Sipas nenit 296 të draftit të ri, kushdo që pranon të shesë votën apo firmën e tij në këmbim të përfitimeve materiale, favore apo premtime të tjera, mund të dënohet me burgim nga 2 deri në 7 vite.

“Kërkimi ose pranimi nga zgjedhësi apo nga personat e familjes a të afërmit e tij të ngushtë i të hollave, të mirave materiale, ose favorizimeve të tjera në cilëndo formë në kundërshtim me ligjin, për vete ose të tjerët, me qëllim për të dhënë firmën për paraqitjen e një kandidati në zgjedhje, për të votuar në një mënyrë të caktuar, për të marrë pjesë ose jo në votime, ose për t’u angazhuar në veprimtari të paligjshme në mbështetjen e një kandidati ose partie politike, dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet”,- thuhet në Nenin 296, në draft Kodin e ri Penal.

Kjo është një rritje e ndjeshme krahasuar me Kodin Penal aktual, që parashikon një dënim maksimal deri në 5 vite.

Në të njëjtën kohë, neni 297 i të njëjtit draft, parashikon se blerësi i votës, përfshirë politikanët apo përfaqësuesit e subjekteve zgjedhore që ofrojnë para, vende pune apo favore të tjera për të ndikuar votuesin, rrezikon më pak: nga 3 deri në 6 vite burgim.

“Ofrimi ose dhënia e të hollave, të mirave materiale, premtimi për vend pune ose favorizime të tjera në cilëndo formë në kundërshtim me ligjin, për zgjedhësin ose persona të tjerë të lidhur me të, me qëllim marrjen e firmës për paraqitjen e një kandidati në zgjedhje, për të votuar në një mënyrë të caktuar, për të marrë pjesë ose jo në votime, ose për t’u angazhuar në veprimtari të paligjshme për mbështetjen e një kandidati ose partie politike, dënohet me burgim nga tre deri në gjashtë vjet",- thuhet në Nenin 297, në draft Kodin e ri Penal.

Sipas draftit, votimi i dyfishtë, përdorimi i dokumenteve false apo votimi në emër të personave të tjerë dënohet me 2 deri në 4 vite burg, nga 1 deri në 3 vite që është aktualisht.

Megjithatë, për një nga format më të zakonshme të shkeljeve zgjedhore, fotografimin e votës, drafti i ri është më i butë.

Nga 3 vite burg që parashikon ligji aktual, dënimi në projektligjin e ri ulet në gjobë ose 3 muaj deri në 2 vite burg./Versus.al

 

 

Poll