
Gjykata e Posaçme dënoi me 1 vit burg Eglantina Zeren, e cila për shkak të gjykimit të shkurtuar u dënua përfundimisht me 8 muaj heqje lirie.
Zere në cilësinë e anëtares së komisionit të vlerësimit të ofertave u mor e pandehur në kuadër të dosjes 5D, ku në gjyq janë edhe Redi Molla e Mariglen Qato, dy ish-drejtorë të Bashkisë së Tiranës të cilët akuzohen se krijuan një skemë korruptive të përfitimit të miliona euro fonde publike të bashkisë nëpërmjet tenderave që fitonin me kompaninë e tyre "5D Construction".
Me nga 9 muaj u dënuan edhe 4 të pandehurit e tjerë në këtë proces, të cilët gjithashtu përfituan ulje dënimi në 6 muaj heqje lirie mes të cilëve, Enkeljda Qyta, Bruno Koçi, Rivjola Baxha si dhe Kristo Zhulati. Ata u gjetën fajtor për akuzën e "Shkeljes së barazisë në tendera".
Kush është Redi Molla?
Redi Molla, ish-drejtor në Bashkinë e Tiranës dhe më parë në Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, është një nga zyrtarët e arrestuar në kuadër të hetimeve për dosjen e njohur si “5D”. Sipas SPAK, ai është pronari (de facto) i padeklaruar i kompanisë “5D Konstruksion”, e cila ka përfituar miliona euro nga tendera publike, të akorduar nga vetë Bashkia e Tiranës.
Afera “5D”:
Molla akuzohet për favorizim të kompanisë së tij të ndërtimit në prishjen e banesave dhe përfitim fondesh publike në mënyrë të paligjshme. Klodian Zoto, i përfshirë më herët në çështje të tjera të rënda korrupsioni, është përmendur si përfitues i drejtpërdrejtë i tenderëve me ndërmjetësimin e Mollës, 1 milion euro në një rast. Ai ka kërkuar telefonin e gruas për ta paraqitur si provë, por SPAK e kishte sekuestruar më parë për hetime. Versus.al







