
Elbasan- Në hyrje të qytetit të Librazhdit ka vijuar edhe sot aksioni i IKMT për shembjen e 22 godinave të bizneseve përgjatë aksit Elbasan-Prrenjas-Qafë Thanë, faza IV.
Por banorët kanë kundërshtuar këtë aksion duke pretenduar se kompensimi financiar që u është ofruar është shumë më i ulët sesa vlera reale e pronave dhe investimeve të tyre. ata u shprehën se objektet i kanë boshatisur që më 17 nëntor 2025, por nuk pranojnë vijimin e procesit pa marrë pagesat e shpronësimit.
“Ne po kundërshtojmë për lekët, jo për objektin”, është shprehur një nga pronarët, duke shtuar se asnjë institucion nuk po i mbron interesat e tyre.
Në terren janë të pranishëm edhe disa forca të policisë. Kryekomisarja Nertila Meta tha se kishin mbërritur aty për të mbështetur punonjësit e IKMT dhe se kushdo që i pengon në punën e tyre do të procedohet penalisht.
“Për çdo veprim pengues do të mbani përgjegjësi ligjore”, deklaroi ajo.
Ndërsa banorët iu përgjigjën duke e pyetur se kush ishte aty për të mbrojtur qytetarët.
Nga ana tjetër, IKMT thotë se të gjitha objektet e parashikuara për prishje janë shpronësuar sipas ligjit dhe se projekti përbën një investim strategjik që pritet të sjellë përmirësim të infrastrukturës, rritje të sigurisë rrugore dhe zhvillim ekonomik për qarkun e Elbasanit. Versus.al
