Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka paralajmëruar qytetarët për një fushatë të re mashtrimi që po qarkullon përmes mesazheve SMS, ku përdoruesit njoftohen në mënyrë të rreme për gjoba trafiku të papaguara.
Sipas AKSK-së, mesazhet përmbajnë lidhje të dyshimta që i ridrejtojnë qytetarët në faqe të rreme, të ndërtuara për të imituar platformën zyrtare e-Albania, me qëllim vjedhjen e të dhënave personale, kredencialeve dhe informacioneve bankare.
Institucioni bën me dije se ka referuar rastin pranë Policisë së Shtetit dhe AKEP-it për bllokimin e domain-eve dhe adresave IP të përdorura në këtë aktivitet keqdashës.
AKSK u bën thirrje qytetarëve të mos klikojnë në lidhje të panjohura, të mos ndajnë të dhëna personale apo bankare dhe të përdorin vetëm kanalet zyrtare për verifikimin ose pagesën e detyrimeve. Në rast dyshimi, rekomandohet njoftimi i menjëhershëm i bankës dhe raportimi pranë autoriteteve përkatëse.
Njoftimi i plotë:
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka identifikuar një fushatë mashtrimi përmes mesazheve SMS, të cilat paraqiten si njoftime për gjoba trafiku të papaguara dhe ridrejtojnë përdoruesit drejt faqeve që imitojnë platformën zyrtare e-Albania, me qëllim përvetësimin e të dhënave personale, kredencialeve dhe informacioneve bankare.
AKSK ka ndërmarrë masat e nevojshme, duke referuar pranë Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit, si dhe pranë AKEP-it, domain-et dhe adresat IP të përdorura në këtë aktivitet keqdashës, për marrjen e masave përkatëse të bllokimit. Mesazhet përmbajnë lidhje të dyshimta që synojnë përvetësimin e të dhënave personale, kredencialeve dhe informacioneve bankare.
Për t’u mbrojtur:
Mos klikoni në lidhje të dyshimta.
Mos ndani të dhëna personale apo bankare.
Verifikoni gjithmonë adresën e faqes që po vizitoni.
Përdorni vetëm kanalet zyrtare për të kontrolluar ose kryer pagesa.
Nëse dyshoni se keni rënë pre e këtij mashtrimi, kontaktoni menjëherë bankën tuaj dhe raportoni rastin pranë autoriteteve përkatëse./Versus.al

