"Të hetohet drejtoresha e Spitalit Onkologjik, nëse ka marrë masa për administrimin e spitalit nga abuzimet kriminale të personelit". Kërkesa e drejtpërdrejt e nominative në drejtim të drejtueses Silvana Çeliku, u bë nga gjyqtari i gjykatës së Posacme të Apelit, Florian Kalaja. Ky i fundit i ka lënë si detyrë urgjente SPAK-ut të zbërthejë përgjegjësitë eventuale të drejtoreshës të Spitalit Onkologjik.
Gjyqtari Florian Kalaja i kujton Prokurorisë së Posaçme se përpos 7 personave që po hetohen midis tyre mjekë dhe farmacistë, duhet të hetohet edhe nëse shefja e Onkologjikut, Silvana Celiku ka marrë apo jo masa për të administruar spitalin nga abuzimet dhe duhet të verifikohet më tej nëse drejtoresha ka paraqitur apo jo kallëzime pranë organeve të drejtësisë.
Në vendimin e zbardhur gjyqtari i Apelit të Posaçëm flet edhe për korrupsionin, që sipas gjyqtarit, duhet parë në çfarë forme bashkëpunimi është kryer dhe në çfarë periudhë kohore. Duke i parë si veprime të bashkërenduara që synojnë intimidimin e pacientëve me sëmundje tumoriale për ti dërguar ata në klinikat private si ajo e zotëruar nga i hetuari Edmond Gashi, Gjykata e Apelit thotë se rastet e evidentuara duhet të klasifikohen si mashtrim.
Shfrytëzimi i frikës së pacientëve dhe familjarëve krijuar nga sëmundja tumoriale dhe përdorimi për qëllime përfitimi, sipas gjyqtarit, është një situatë mashtrimi për të përvetësuar pasurinë e viktimave. Në vendimmarrje gjykata i referohet ankesave të disa prej të hetuarve, të cilët kërkuan ndryshim të masave si Edmond Gashi, i ati Halil Gashit, farmacisti Florian Markut dhe ish zyrtarja e spitaleve Brikena Qiriazi. Për ish-zëvendës drejtoreshën e spitaleve Qiriazi, apeli e hoqi masën e sigurisë duke i tërhequr vëmendjen SPAK-ut dhe Prokurorisë së Tiranës se nuk kanë kryer hetime të mjaftueshme për të provuar se burimi I Kobaltit është keq administruar nga spitali.
Deri më sot nuk rezulton të jetë kryer një akt-ekspertim thekson gjykata e apelit anti-korrupsion që të evidentojë pasojat që ka sjellë burimi i Kobaltit. Citimi i akteve nënligjore ndaj të dyshuarës pa sjellë prova apriori mbi shkeljen konsiderohet nga apeli si një precedent i rrezikshëm për subjektet e tjera zyrtare. Për Qiriazin dhe Drilona Kishtën, Apeli kërkon interpretim nga Gjykata e Lartë, me arsyetimin se faktet penale të regjistruara në emër të tyre nuk plotësojnë shkaqet për tu bashkuar me të tjerët.
Ndërkohë që SPAK do të bëjë verifikimet e tij, pothuajse çdo ditë gazetari Osman Stafa po publikon para Onkologjikut, pjesë nga komunikimet e brendshme mes mjekëve, ku qartazi flitet për mungesën e medikamenteve, trajtimeve dhe pajisjeve. Në këto komunikime të brendshme, aspak empatike, flitet për uljen e dozave dhe rekorde botërore në uljen e tyre. Në publikimet e gazetarit Stafa, i cili po nxjerr "lakuriq" Onkologjikun, duket se kjo situatë nuk është e re dhe e viteve të fundit, por një "standard" i punës së bluzave të bardha që vecc pacientëve duket se nuk i kanë shërbyer sicc duhet për të luftuar "përbindëshin" në trup.
Edhe Versus.al, në javët e kaluara ka publikuara të plota dosjen e KLSH-së dhe atë të prokurorisë rreth abuzimeve në spitalin onkologjik, ku vitet e fundit i është mohuar shërbimi mijëra pacianteve për shkak të mungesës së pajisjeve apo medikamenteve, duke u lënë në fatin e tyre të mjerë.







