A mund të imagjinoni një spital me lagështirë, myk, minj e mikrobe? Sipas auditit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, nuk duhet kërkuar shumë larg, duhet vajtur deri tek Spitali Onkologjik.
Sipas raportit të KLSH-së të bërë publik vjet dhe të risjellë sot nga Versus.al dhe që ka audituar periudhën nga 2020-2022, Spitali Onkologjik është ndërtesë 4- katesh, me sipërfaqe totale prej 3443,3 m2 , e cila është ndërtuar që në vitin 1968, ku herë pas herë ka pësuar rikonstruksione.
“Grupi i auditimit verifikoi ambientet në Spitali Onkologjik, duke vërejtur se kati i III i godinës me sipërfaqe prej 687,3 m2, në njësinë e radioterapisë, në disa nga dhomat e pacientëve të kësaj njësie kishte prani të lagështirës në tavan” – thuhet mes të tjerave në raport.
Por nuk ka vetëm kaq… Në verë pacientëve dhe stafit veç trajtimit mjekësor siç duket (të paktën deri në 2022) ju është ofruar dhe “sauna”
Në raportin e KLSH-së shkruhet se: “Në infrastrukturën e ndërtesës së Spitalit Onkologjik vazhdon të mbetet problem sistemi i ftohjes gjatë verës, për shkak të problemeve teknike në sistemin chiller.”
Dhe më e bukura nuk ka ardhur akoma…

“Kati nëntokë me sipërfaqe prej 490,9 m 2 është i papërdorshëm dhe është kthyer në një ambient ku mbizotëron lagështia, është i pa pastër, rezultojnë pajisje mjekësore të papërdorshme, rafte, tavolina, ku pamjet flasin për një situatë kaotike, e cila përbën një risk potencial për infektimin e ambienteve më sipër, nga ekzistenca e brejtësve dhe mikrobeve të ndryshme që mund të jenë në katin nëntokë.” – shkruhet e zezë mbi të bardhë në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit të bërë publik në 2023. VERSUS








