
Durrësi ndodhet në një situatë tejet alarmante sa i takon shitjes së lëndëve narkotike nëpër shkollat 9 vjeçare apo gjimnaze. Pas aksionit të zhvilluar pak javë më parë ku u arrestuan dhjetëra persona, së fundmi policia njofton se janë ndaluar 17 të tjerë të cilët merreshin me shitjen e drogërave të ndryshme pranë shkollave apo ambienteve që frekuentoheshin nga të rinjtë.
Për 13 prej të ndaluarve është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” dhe për 4 të tjerë “arrest shtëpie”. Gjatë operacionit janë sekuestruar sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike si “heroinë, kokainë dhe kanabis”. Gjithashtu në banesat e të ndaluarve janë gjetur 2 pistoleta dhe 1 kallashnikov.
Grupi kishte shtrirje të gjerë dhe mbulonte edhe shkollat e Shijakut dhe Manzës. Arrestimet e kryera së fundmi janë rezultat i hetimeve të nisura prej disa muajsh.
Njoftimi i policisë:
Objektivi i operacionit, identifikimi dhe arrestimi i shtetasve që tentonin të shpërndanin lëndë narkotike në afërsi të shkollave dhe në ambiente të tjera që frekuentohen nga të rinjtë.
Gjatë operacionit, sekuestrohen sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike Heroinë, Kokainë dhe Cannabis Sativa, 3 armë zjarri (2 pistoleta dhe 1 kallashnikov), shuma të konsiderueshme parash, automjete dhe celularë.
Ekzekutohen masat e sigurisë për 17 shtetas (për 13, masa “Arrest në burg”; për 4, masa “Arrest në shtëpi”). Shpallet në kërkim 1 shtetas.
Shtetasit akuzohen se në bashkëpunim, kanë siguruar lëndë narkotike, me qëllim shitjen në afërsi të shkollave në Shijak dhe në Manzë.
Në vijim të punës intensive hetimore dhe operative, të kryer nga strukturat e Policisë së Durrësit, me prioritet identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që kryejnë veprimtari kriminale në afërsi të institucioneve arsimore dhe/ose të ambienteve të tjera që frekuentohen nga rinjtë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e forcave të posaçme Operacionale dhe “Shqiponja” dhe me shëbimet e Stacionit të Policisë Manzë dhe të Komisariatit të Policisë Shijak, finalizuan në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, operacionin e koduar “Cleaning 5”.
Si rezultat i 2 procedimeve penale u kryen hetime disamujore, në vijim të të cilave u ekzekutuan masat e sigurisë për 17 shtetas, konkretisht, për 13 shtetas u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për 4 shtetase u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërsa 1 shtetas u shpall në kërkim.
Këta shtetas, banues në Durrës, Kavajë, Shijak, dhe në fshatra të njësive administrative Sukth, Manzë dhe Xhafzotaj, akuzohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe/ose më shumë se një herë.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim, siguronin lëndë narkotike dhe e shitnin kryesisht në afërsi të shkollave në Shijak dhe në Manzë, si dhe në ambiente të tjera që frekuentohen nga të rinjtë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme. Versus.al

