Një ngjarje e rrezikshme ka ndodhur në fshatin Trush, ku një 56-vjeçar dhe djali i tij 22-vjeçar u arrestuan pasi qëlluan në ajër me armë zjarri dhe armë gjahu për të kanosur fqinjin e tyre. Djali tjetër i 56-vjeçarit, 27 vjeç, është shpallur në kërkim.
Sipas hetimeve paraprake, babë e bir kanë qëlluar për motive të dobëta, duke kërcënuar fqinjin e tyre, shtetasin P.N.
Materialet u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Qëlluan në ajër, me armë zjarri dhe me armë gjahu, në fshatin Trush, për të kanosur fqinjin e tyre, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 56-vjeçari dhe djali i tij. Shpallet në kërkim djali tjetër i 56-vjeçarit. Sekuestrohen 2 armë gjahu çifte, që i kishin me leje. Punohet për gjetjen e armës së zjarrit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, të mbështetura nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në fshatin Trush, disa shtetas kishin kanosur me armë, fqinjin e tyre, kanë organizuar punën për kapjen e tyre dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, u kapën në flagrancë dhe u arrestuan shtetasit Ç. M., 56 vjeç, dhe D. M., 22 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Trush. Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi E. M., 27 vjeç, banues në fshatin Trush.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasi Ç. M. dhe dy djemtë e tij, kanë qëlluar me armë zjarri dhe me armë gjahu çifte, në ajër, afër banesës, për të kanosur fqinjin e tij, shtetasin P. N., për motive të dobëta. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme./Versus.al







