Edhe pse prej ditës së hënë ka hyrë në fuqi ndalimi i qarkullimit të monopatinave elektrike në vend, në rrugët e Tiranës këto mjete vijojnë ende të shihen, ndonëse në numër më të kufizuar. Kontrollet e shtuar dhe sekuestrimet nga Policia e Shtetit kanë reduktuar ndjeshëm lëvizjen e tyre, por një pjesë e qytetarëve duket se refuzojnë t’i binden vendimit.
Në të njëjtën linjë me këtë qëndrim është shprehur edhe kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, e cila gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak theksoi se ndalimi i monopatinave nuk është vendim i bashkisë, duke dalë kështu kundër nismës së Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Diskutimi u hap nga këshilltarët opozitarë, të cilët kërkuan që bashkia të ofrojë një zgjidhje për qytetarët që kanë investuar në monopatina, veçanërisht pasi vetë Bashkia e Tiranës i kishte promovuar më herët si mjet ekologjik transporti.
“Nuk ka qenë një vendim i Bashkisë së Tiranës. Nëse më pyesni mua personalisht, unë jam pro çdo mjeti transporti që nuk përdor karburant. Por kjo është një pikëpamje personale”, tha Ristani.
Në përgjigje të pyetjes së këshilltarit Endrit Shabani për alternativat që bashkia do t’u ofrojë qytetarëve, Ristani tha se zgjidhja qëndron te transporti publik, korsitë e biçikletave dhe trotuaret e zgjeruara.
Kryetarja e komanduar sqaroi gjithashtu se nuk ka pasur asnjë korrespondencë zyrtare mes Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Brendshme për këtë masë ndalimi.
“Shkresërisht, Bashkia e Tiranës nuk ka marrë asnjë komunikim zyrtar lidhur me këtë vendim. Nëse janë përfshirë struktura si Policia Bashkiake apo punonjës të parqeve, kjo mbetet në diskrecionin e institucioneve përkatëse”, theksoi Ristani.







