SPAK dhe BKH kanë zhvilluar kontrolle në banesën dhe zyrat e biznesmenit Artan Dulaku, si dhe ndaj disa zyrtarëve e ish-zyrtarëve të institucioneve shtetërore.
Në kuadër të këtij operacioni janë kontrolluar edhe ambientet e administratorit të “Marina Bay Saranda”, Genard Kastrati.
Sipas burimeve, hetimet lidhen me pronat e Ushtrisë, konkretisht me portin ushtarak të Limionit në Sarandë, ku dyshohet për përfshirje të zyrtarëve dhe biznesmenëve në manipulimin e kontratës për marrjen në përdorim të kësaj baze.
Procedurat hetimore janë nisur pas kallëzimit të bërë në vitin 2021 nga ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari, ndaj vendimit të Këshillit të Ministrave të 1 korrikut 2020, me të cilin Baza Detare e Limionit, me një sipërfaqe prej mbi 265 mijë metra katrorë, iu dha me qira për 20 vjet, me tarifën simbolike 1 euro, dy shoqërive private të bashkuara.
Aktualisht, baza detare e Sarandës ndodhet nën sekuestro deri në përfundim të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, e cila po verifikon ligjshmërinë e procedurave të dhënies me qira të pronës ushtarake. Detaje të tjera pritet të bëhen publike në vijim./Versus.al







