
Studiuesi Auron Tare ka ngritur pikëpyetje në lidhje me përdorimin e fondit 6.2 milionë euro të dhënë nga Bashkimi Europian në vitin 2018 për restaurimin dhe zhvillimin e Parkut Arkeologjik të Bylisit.
Auron Tare shkruan në rrjetet sociale se përkundër deklarimeve për transparencë, asnjë institucion shqiptar nuk ka dhënë llogari, ndërsa Ministria e Kulturës “hesht para abuzimeve dhe shkeljeve të hapura që shoqërojnë fondet e BE-së në sektorin e trashëgimisë”.
Ai ngre dyshime se shtatë vite pas projektit, në Bylis nuk vërehet asnjë ndryshim i dukshëm, as ndërhyrje restauruese, as struktura të reja apo muzeale që justifikojnë shumën e investuar.
“Është e papranueshme që pas kaq vitesh dhe me një shumë kaq të madhe, askush të mos dijë të thotë se çfarë është bërë në Bylis. Nuk ka transparencë, nuk ka raportim, nuk ka përgjegjësi. Qyteti antik është në të njëjtën gjendje, ndërsa fondet janë zhdukur pa gjurmë,” thotë Tare.
Studiuesi kërkon sqarime zyrtare nga Delegacioni i BE-së në Tiranë dhe raport publik nga Ministria e Kulturës, për të treguar se ku kanë përfunduar paratë dhe cilat janë punimet e kryera.
“Është e papranueshme që pas kaq vitesh dhe me një shumë kaq të madhe, askush të mos dijë të thotë se çfarë është bërë në Bylis. Nuk ka transparencë, nuk ka raportim, nuk ka përgjegjësi. Qyteti antik është në të njëjtën gjendje, ndërsa fondet janë zhdukur pa gjurmë,” deklaron Tare.
Sipas Tares Ministria e Kulturës dhe institucionet përgjegjëse për trashëgiminë kanë zgjedhur të “kyçin” gojën përballë abuzimeve me fondet e BE-së.
“Nuk mund të flitet për integrim europian kur fondet e Bashkimit Europian përdoren pa asnjë standard, pa mbikëqyrje dhe pa rezultat. Bylisi është një pasuri kombëtare dhe duhet trajtuar si i tillë, jo si një pretekst për tendera të errët dhe projekte në letër,” përmbyll postimin Tare./Versus.al
