Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen me 8 të pandehur sa i takon skemës kriminale të përfitimeve të paligjshme duke u prezantuar si punonjës shteti që kishin mundësi të jepnin banesa sociale.
Bëhet fjalë për një grup të mirëorganizuar që sipas SPAK-ut, shkonin në zonën e Spitallës në Durrës dhe u prezantoheshin personave të interesuar si zyrtarë shtetërorë që kishin në dorë dhënien e banesave sociale në këmbim të shumave monetare që cilësoheshin si ‘kafe’.
Personat që interesoheshin për banesa të tilla do të duhet t’u dorëzonin mashtruesve dokumentacionin për vijimin e procedurës dhe më pas do t’u dërgohej një SMS konfirmimi nga bashkia e Durrësit për t’u futur në banesa pas 2 muajsh.
Pas këtij momenti, përfituesi i banesës sociale detyrohej që të paguante një qera minimale për disa vite, shumë e cila do të vlerësohej në bazë të sipërfaqes për m2 që do përfitonte.
Ndërkohë, tre persona të tjerë, Gazmend Panxha, Shyqyri Dema dhe Sokol Sylaj, akuzohen për dhënie ryshfeti për të përfituar banesa sociale.
Një bashkëpunëtor i emisionit ‘Fiks Fare’ ku u transmetua skandali dokumentoi me prova skenën ku njëri prej të pandehurve i kishte përfituar një banesë sociale kundrejt shumës së 15 mijë eurove. Versus.al








