Aksioni policor ndërkombëtar i koduar “The Wanted” ka sjellë një tjetër rezultat konkret. Falë bashkëpunimit mes Interpol Tirana dhe Interpol Harare, është bërë e mundur lokalizimi, kapja dhe ekstradimi nga Zimbabve i shtetasit shqiptar Loran Dusha, 42 vjeç, lindur në Lushnjë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Dusha është ish-administrator i inceneratorit të Fierit, dhe ndaj tij Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) kishte caktuar që në vitin 2022 masën e sigurisë “Arrest në burg” për vepra të rënda penale.
Sipas dosjes hetimore, Loran Dusha akuzohet për Korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë dhe Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale, të kryera në bashkëpunim.
Nga hetimet rezulton se, në cilësinë e administratorit të një kompanie private të përfshirë në projektin e inceneratorit të Fierit, Dusha ka përfituar fonde publike në mënyrë të paligjshme. Dyshohet se ai ka përdorur fatura dhe pagesa fiktive, për punë dhe shërbime që nuk janë kryer realisht, duke dëmtuar buxhetin e shtetit.Pas arrestimit të tij në Zimbabve dhe përfundimit të procedurave të ekstradimit, Dusha është dërguar në Shqipëri, ku iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe do të përballet me drejtësinë shqiptare.
Policia e Shtetit thekson se mbetet maksimalisht e angazhuar në bashkëpunimin ndërkombëtar, me qëllim lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve shqiptarë që kërkohen për vepra penale dhe që tentojnë t’i shpëtojnë drejtësisë duke u fshehur jashtë vendit. /Versus.al/







