Dhjetëra banorë të fshatit Rrjoll në Velipojë u mblodhën sot para godinës së SPAK-ut për të protestuar kundër ndërtimit të resortit luksoz “Blue Borgo” në tokat që ata pretendojnë si pronë private të trashëguar brez pas brezi.
Protestuesit kanë pasur përplasje të herëpashershme me policinë në zonën ku kompania “Gener 2” e biznesmenit Bashkim Ulaj ka nisur punimet për projektin në një sipërfaqe prej 146 hektarësh pranë Ranës së Hedhun. Ulaj dhe dy vëllezërit e tij u shpallën investitorë strategjikë në dhjetor 2024.
Por pavarësisht protestave dhe denoncimeve të banorëve, kompania “Gener 2” përsëriti sot qëndrimin e saj të prerë: projekti do të vijojë sipas planit.
Në një deklaratë zyrtare, kompania thekson:
-Projekti “Blue Borgo”, i zhvilluar nga shoqëria “Aba Blue Borgo” sh.p.k., është plotësisht në përputhje me të gjitha ligjet dhe aktet nënligjore shqiptare.
-Nga faza e konceptimit deri te leja e ndërtimit në dhjetor 2025, janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore në mënyrë transparente, pa asnjë kontestim gjyqësor apo problematikë.
-Të gjitha institucionet kompetente kanë dhënë miratimin e tyre, me dokumentacion të plotë teknik, ligjor dhe mjedisor, përfshirë dëgjesat publike me banorët.
-Asnjë e drejtë pronësie nuk është cenuar dhe projekti mbështetet vetëm në vendime të formës së prerë të gjykatave në të gjitha shkallët.
Çdo pretendim tjetër për shkelje ligjore është “spekulativ dhe dezinformues”, sipas kompanisë.
“Gener 2” garanton se do të realizojë projektin brenda afateve, duke respektuar standardet më të larta të ndërtimit të qëndrueshëm dhe duke e kthyer “Blue Borgo” në një destinacion turistik kryesor për zonën e Velipojës.
Ndërkohë, banorët vazhdojnë të kërkojnë ndërhyrje urgjente nga SPAK dhe institucionet për të mbrojtur tokat e tyre, duke paralajmëruar protesta të mëtejshme nëse punimet nuk ndalen./Versus.al


