Baronesha Anna Malfatti, e lindur në vitin 1936, vdiq në vitin 2023 në moshën 87 vjeçare.
Ajo vendosi t'i lërë pasurinë e saj kujdestares shqiptare: mes parave (rreth një milion euro) dhe gjashtë apartamenteve, trashëgimia e saj arrin në rreth pesë milionë euro. Megjithatë, tetë nipërit e saj — të asistuar nga avokati Claudio Malfer — e kanë vënë në dyshim këtë testament. Ata kanë ngritur një padi civile, duke kërkuar anulimin e testamentit dhe kanë denoncuar kujdestaren 44-vjeçare — e mbrojtur nga avokati Nicola Canestrini — duke e akuzuar për manipulimin e baroneshës.
Akuza Sipas Prokurorisë së Roveretos, 44-vjeçarja shqiptare ka abuzuar me gjendjen e rënies mendore të asistentes, duke e bërë atë të humbte aftësinë për të kuptuar dhe vepruar.
Siç thuhet në aktin e akuzës, në mars 2022, kujdestarja ka bërë që baronesha të hartonte një testament, ku e emëronte trashëgimtaren e vetme. Një muaj më vonë, ajo ka arritur të marrë një prokurë të përgjithshme noteriale.
Ndërkohë, në pritje të përfundimit të procesit, Prokuroria ka kërkuar nga gjykatësi i hetimeve paraprake sekuestrimin e të gjitha pasurive të baroneshës. Nga ana e saj, 44-vjeçarja ende nuk e ka pranuar trashëgiminë, pasi nuk dëshiron ta marrë atë derisa të sigurohet se ka të drejtë për të.








