AKTUALITET /

Dalin përgjigjjet, makaronat me baktere helmuan studentët/ AKU bllokon “SORI-AL” dhe e gjobit me 1.5 mln lekë

Pas analizave laboratorike që nxorën një mostër makaroneje me ngarkesë mbi normë të baktereve Escherichia coli dhe Staphylococcus, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit pezulloi aktivitetin e kompanisë SORI-AL dhe vendosi gjobë 1.5 milionë lekë.

Shkruar nga Versus
Dalin përgjigjjet, makaronat me baktere helmuan studentët/ AKU bllokon
Alma Tafani, administratore e ''Sori AL''

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka pezulluar aktivitetin e kompanisë SORI-AL, pas dyshimeve për helmimin e 52 studentëve të Akademia e Sigurisë.

Sipas njoftimit zyrtar të AKU-së, gjatë kontrolleve janë marrë nëntë mostra ushqimore, përfshirë lëndë të para dhe produkte të gatshme.

Analizat e kryera nga laboratori i referencës ISUV treguan se tetë prej tyre rezultuan brenda normave të lejuara, ndërsa një mostër makaroneje e marrë në kuzhinën e Akademisë së Sigurisë rezultoi jokonforme për shkak të pranisë mbi normë të baktereve Escherichia coli dhe Staphylococcus koagulaze pozitive.

Pas këtyre rezultateve, AKU vendosi ndërprerjen e aktivitetit të subjektit deri në përmbushjen e kushteve ligjore për pastrimin dhe dezinfektimin e ambienteve dhe pajisjeve të punës.

Kontrollet janë shtrirë edhe në ambientet e Garnizonit “Skënderbej” pranë Forcave të Armatosura, ku prodhoheshin ushqimet për studentët e Akademisë. Sipas autoriteteve, edhe aty janë konstatuar probleme higjieno-sanitare dhe rezultate jokonforme në analizat laboratorike, çka solli pezullimin e aktivitetit të kompanisë edhe në këtë adresë.

Ndaj subjektit “SORI-AL” është vendosur gjithashtu një gjobë prej 1.5 milionë lekësh për tregtim ushqimi të pasigurt dhe shkelje të kushteve higjieno-sanitare.

Kompania, në pronësi të Alma Tafani, siguronte kateringun me tre vakte për studentët e Akademisë së Sigurisë. Administratorja e kompanisë është shpallur në kërkim nga policia.

Ndërkohë, për këtë çështje janë arrestuar kuzhinieri Kujtim Ballgjini dhe teknologia e ushqimit Kristjana Plaka, ndërsa një tjetër teknologe ushqimi po hetohet në gjendje të lirë.

Njoftimi i AKU-së:

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në vijim të informimit publik dhe transparencës bën me dije, se referuar çështjes për dyshim helmimi të disa kursantëve pranë Akademisë së Sigurisë, Sauk, nga AKU janë kampionuar nëntë mostra (lëndë të para dhe produkte të gatshme).

Nga laboratori i Referencës ISUV informohemi se tetë mostra të kampionuara kanë dalë brenda normave dhe një kampion makarona produkt i gatshëm ka rezultuar jokonform për ngarkesë mbi norme Escherichia.Coli dhe B staphylococcus koagulaze pozitive, mostër kjo e kampionuar në kuzhinën brenda ambienteve të Akademisë së Sigurisë, Sauk.

Për këto gjetje AKU mori masën e ndërprerjes së aktivitetit, deri në plotësimin e kërkesave ligjore nga OBU për pastrimin dhe dezinfektimin e ambienteve dhe pajisjeve të punës.

Në vijim të ndjekjes së gjurmueshmërisë, në adresën Garnizoni “Skënderbej” pranë Forcave të Armatosura, ku është kryer prodhimi i këtyre produkteve, referuar  konstatimeve  të  institucioneve shëndetësore, mbi raportin përfundimtar të hetimit epidemiologjik për rezultatet jokonforme për tregues të higjenës, evidentuar në kampionët në ruajtje si dhe në disa prej pajisjeve të punës,

AKU mori masa për ndërprerjen e aktivitetit të subjektit SORI-AL edhe në adresën Garnizoni “Skënderbej” pranë Forcave të Armatosura.

Gjithashtu u vendos masë administrative me gjobë në vlerën 1,500,000 lekëve për ushqim të pasigurt dhe kushte higjieno-sanitare.

Subjektit iu la detyrë marrja e masave për kryerjen e procedurës së asgjësimit referuar produktit të bllokuar rezultuar jo konform./Versus.al

Poll