
Tiranë- Sokol Mëngjesi, avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha është dhunuar mëngjesin e sotëm në zonën e ish-Bllokut duke u goditur me leva dhe grushte nga tre persona të paidentifikuar.
Policia është vënë në kërkim të autorëve ndërsa Mëngjesi është transportuar në spital ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.
“Sot, rreth orës 08:50, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, persona ende të paidentifikuar kanë goditur shtetasin S. M., me profesion avokat. I dëmtuari është dërguar menjëherë në spital për dhënien e ndihmës mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe strukturat e Policisë së Shtetit janë angazhuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Efektivët kanë sekuestruar kamerat e sigurisë ku ndodhi ngjarja për të zbardhur rastin. Ndërkohë, dyshohet se shkak për dhunën ndaj tij të jetë bërë një çështje për motive pronësie.
Sokol Mëngjesi njihet si një prej avokatëve të Sali Berishës në çështjen e privatizmit të ish-kompleksin "Partizani" për të cilën ish-kryeministri po mbahet në arrest shtëpie.
Për ngjarjen, pati reagim edhe nga deputetët e Kuvendit, Klotilda Bushka dhe Asllan Dogjani të cilët gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve dënuan aktin e rëndë.







