Një akt guximi i jashtëzakonshëm, që do të mbetet gjatë në kujtesën e publikut grek dhe shqiptar. Levian Goga, emigranti shqiptar që u hodh pa menduar dy herë në lumin Arahthos për të shpëtuar dy fëmijë, ka rrëfyer me emocione tronditëse momentet dramatike që ndryshuan jetën e tij – dhe jetën e gjithë një komuniteti.
“Nuk bëra heroizëm. E bëra sepse mendova se ishte fëmija im aty brenda.” – thotë ai në një intervistë për mediat greke, duke shtuar me lot në sy se zemra, jo mendja, e shtyu drejt asaj që për shumë të tjerë do të dukej e pamundur.
Fatkeqësisht, edhe pse Leviani arriti të nxjerrë të miturit 12 dhe 14 vjeç nga uji, fëmijët nuk arritën t’i mbijetojnë traumës dhe pësuan vdekje klinike. Prindërit e tyre – me një guxim dhe dhembje të pamasë – vendosën që organet e fëmijëve të dhurohen, duke shpëtuar jetë të tjera. Një akt human që gërshetohet tragjikisht me atë të Lavianit.
“Do t’i bëj tatuazh fëmijët… dua t’i mbaj gjithmonë në zemër”, – thotë ai, i mbuluar nga ndjenja e lidhjes së përjetshme me jetët që nuk mundi dot t’i shpëtonte.
Pas aktit të tij, shteti grek vendosi t’i japë nënshtëtësinë greke, por Leviani është i qartë:
“Nuk e bëra për nënshtetësinë. Kam 20 vjet këtu, herë me letra, herë pa. Greqia është si atdheu im i dytë.”
Ai falënderon përzemërsisht mjekët, qytetarët, madje dhe vetë ministrin e Shëndetësisë, që e telefonoi për ta përshëndetur personalisht. Por më shumë se gjithçka, ai kërkon ndihmë për prindërit e njërit prej fëmijëve të humbur, të cilët, siç thotë ai, janë pa dokumente dhe kanë vetëm 20 ditë afat për qëndrim në vend.
“I lutem shtetit grek t’i ndihmojë. Kanë nevojë të qëndrojnë këtu, pranë varrit të fëmijës së tyre. Të vendosin një lule. Mos i dëboni.”
Në fund, Laviani bën edhe një apel praktik, që tragjedi të tilla të mos përsëriten:
“Aty lumi është shumë i thellë, deri në 7 metra. Shumë i rrezikshëm. Duhet një tabelë paralajmëruese. Fëmijët janë fëmijë – nuk mund t’i ndalosh gjithmonë. Prindërit nuk mund të jenë 24 orë pas tyre.” /Versus.al/







