
Gjykata e Posaçme ka zbutur masën e sigurisë për Redi Mollën, nga arrest me burg në arrest shtëpie.
Sipas avokatëve Molla ndodhet prej muajit korrik nën trajtim mjekësor për shkak të problemeve shëndetësore me zemrën.
Ky ka qenë argumenti që ka bindur Gjykatën pasi është njohur edhe me raportet mjekësore për të zbutur masën e sigurisë.
Redi Molla dhe ish-drejtuesit e tjerë të Bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato dhe Taulant Tusha, u arrestuan në mars të vitit 2024 me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), në kuadër të hetimeve për dosjen e njohur si “5D”.
Sipas SPAK, Qato dhe Molla dyshohet se janë pronarë de facto të kompanisë “5D”, e cila ka rezultuar fituese në disa tendera të zhvilluar nga Bashkia e Tiranës. Hetimet kanë zbuluar se bëhet fjalë për 11 procedura tenderimi të zhvilluara në një periudhë gjashtëvjeçare, nga viti 2016 deri në vitin 2022.
Kompania “5D” dyshohet se ka vepruar edhe nën dy emra të tjerë tregtarë: “Igor Electric” dhe “Vas Construction”, përmes të cilëve janë realizuar një pjesë e kontratave publike nën hetim.
Njoftimi i GJKKO:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Iliriana Olldashi, sot më 10.10.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 188 akti, datë 01.09.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim R.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 531, datë 31.07.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Zëvendësim mase sigurimi” dhe vendosi:
Ndryshimin e vendimit nr. 531, datë 31.07.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar, si më poshtë:
Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” të caktuar ndaj të pandehurit R.M., me vendimin nr. 28, datë 28.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi” të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, duke urdhëruar të pandehurin R.M., të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën: ***.
Urdhërohet lirimi nga ambientet e paraburgimit i të pandehurit R.M., në rast se nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër.
Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi dhe kontrollimin në bashkëpunim me policinë gjyqësore, të zbatimit të urdhërimit të dhënë të pandehurit, nga kjo gjykatë.
U shpall sot në Tiranë, më datë 10.10.2025./Versus.al







