
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të mërkurën më 25 qershor me parashtrimet në çështjen e vetingut të prokurores së Tiranës, Eranda Laze. Parashtrimet për shkaqet e ankimit të ushtruar nga Komisioneri Publik Florian, Ballhysa ndaj konfirmimit të prokurores Laze u paraqitën nga prokurori Adnand Xholi i cili përfaqëson në këtë proces drejtuesin e SPAK, Altin Dumani. Xholi deklaroi se u qëndronin shkaqeve të ankimit që lidhen me pasurinë dhe etikën dhe kërkoi shkarkimin nga detyra të këtij subjekti rivlerësimi. Prokurorja Eranda Laze i cilësoi shkaqet si hipotetike dhe të pabazuara duke kërkuar lënien në fuqi të konfirmimit të saj.
Laze u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK më 8 nëntor të vitit të kaluar. Gjatë hetimit administrativ në KPK, ajo e kundërshtoi bilancin negativ në masën 10 milionë lekë, si dhe gjetjet për udhëtime me persona të përfshirë në krimin e organizuar, duke kërkuar konfirmimin. Shumica e trupës së KPK i gjeti bindëse shpjegimet dhe provat e dorëzuara nga subjekti, duke e reduktuar pamundësinë në rreth 1.5 milionë lekë, që u konsiderua në përfundim jo penalizues.
Ndërsa pakica çmoi se Laze nuk arriti të provojë ligjshmërinë e burimeve për dy apartamente banimi në Tiranë, të blera për vlerën 81,284 Euro dhe të një automjeti. Pakica arsyetoi se pretendimet e subjektit nuk mbështeteshin nga deklarimet periodike dhe as nga faktet e rezultuara nga hetimi administrativ.
Vendimi i shumicës së Komisionit u gjet i pabazuar dhe nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit që pasi evidentoi probleme për pasurinë dhe etikën, u kërkoi Komisionerëve Publikë përmes një rekomandimi, që të ushtronin ankim në Kolegj.
Prokurori Adnand Xholi deklaroi se drejtuesi i SPAK ndan qëndrim të ndryshëm nga KPK për statusin e bashkëshortit të subjektit në cilësinë e personit të lidhur. KPK ka vlerësuar se bashkëshorti i Lazes ka qenë person i lidhur nga data e lidhjes së martesës ligjore, por Xholi tha se ky përfundim është i pambështetur në situatën faktike. Xholi vërejti se është e provuar se subjekti ka përdorur pa kundërshpërblim një apartament të blerë nga bashkëshorti rreth një vit para martesës ligjore. Po ashtu, ka rezultuar se ajo pasur akses në një llogari bankare të bashkëshortit para lidhjes së martesës.
Drejtuesi i SPAK kërkon që të konsiderohen në analizën financiare vetëm ato të ardhura të bashkëshortit që plotësojnë kushtet për t’u konsideruar si burime financiare të ligjshme. Bazuar në këto argumente, Xholi pretendoi se nuk arrihet të provohet mundësia financiare me burime të ligjshme e pagesës së këstit të parë për një apartament në Tiranë.
Po ashtu, drejtuesi i SPAK vlerëson se nuk është arritur të provohet as mundësia financiare për pagesën e këstit të fundit për apartamentin, duke çmuar se konkluzioni i KPK nuk është i mbështetur në aktet në dosje. Xholi konstatoi se ka dy mandat pagesa se koha për të cilën është pretenduar shlyerja e kësit mbetet deklarative dhe e ndryshme nga sa tregojnë aktet, prej nga konstatohet dhe pamundësia financiare sipas shkaqeve të ankimit.
Në ankim parashtrohet dhe paqartësia e disa transaksioneve të kryera në llogarinë bankare ku kishte akses subjekti.
Prokurorja Eranda Laze deklaroi se ankimi nuk qëndron dhe se është ngritur në keqintepretim të provave dhe deklarimeve. Ajo theksoi se vendimi i KPK është i bazuar në provat e hetimit administrativ, në legjislacionin përkatës dhe në jurispudencën e Kolegjit.
Subjekti u shpreh se Komisioneri Publik ka kërkuar ta lidhi me pasuritë vetjake të bashkëshortit, për të afektuar analizën financiare. Ajo konstatoi se kjo lidhje është tentuar të bëhet përmes përdorimit të apartamentit të bashkëshortit dhe aksesit në llogarinë bankare.
Laze theksoi se bashkëshorti nuk mund të cilësohet si person i lidhur para lidhjes së martesës ligjore, pasi faktikisht ata nuk kanë bashkëjetuar më parë. Ajo shpjegoi se deri në atë kohë ka ndarë banesën me një kolegen e saj, ku deri në 2007-ën kanë qëndruar në shtëpi me qira, ndërsa kur është fejuar, janë shpërngulur të dyja tek apartamenti bashkëshortit, pa kundërshpërblim. Sipas subjektit, edhe shoqja e saj nuk ka paguar qira kur ka qëndruar tek apartamenti bashkëshortit.
Prokurorja Laze këmbënguli se nuk ka ekzistuar bashkëjetesa me bashkëshortin deri në momentin e martesës ligjore dhe se objekt hetimi në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar duhet të jenë vetëm pasuritë e krijuara gjatë martesës.
Megjithatë, ajo pohoi se bashkëshorti i ka krijuar me burime të ligjshme edhe pasuritë e kirjuara para martesës.
Lidhur me llogarinë bankare, ajo solli në vëmendje të Kolegjit se është e vërtetuar se nuk ka kryer asnjë veprim në atë llogari.
“Pasuritë para martesës ligjore janë vetjake. Unë në asnjë rast nuk kam kryer transaksione për pasuritë e bashkëshortit”, tha Laze ndër të tjera dhe shtoi se është e konfirmuar se bashkëshorti ka ejtuar në Itali dhe se kur është kthyer në Shqipëri, nuk i ka shkëputur marrëdhëniet me familjen e origjinës, deri në ditë e martëses. “Po ashtu edhe unë”, pohoi Laze.
Në vijim, subjekti shpjegoi se familja e bashkëshortit kishte pasur mundësi të kryente kursime. Sipas saj, bashkëshorti kishte kursyer të ardhurat e tij, pasi shpenzimet e jetesës mbuloheshin nga prindërit. Ajo pohoi se prindërit e bashkëshortit kishin koontribuar në të njëjtën mënyrë dhe për djalin tjetër.
Sipas Lazes, nga këto të dhëna rezulton se kanë pasur mundësi për pagesën e këstit të parë për apartamentin në Tiranë.
Lidhur me mandatet e e ndryshme për pagesën e këstit të dytë, subjekti u shpreh se mandati i vitit 2014 ishte bërë për të vërtetuar detyrimin e mbetur, por theksoi shlyerja ishte kryer në momentin e marrjes në dorëzim të pasurisë.
Për transaksionet e kryera në llogarinë bankare, subjekti deklaroi se ato nuk janë nënshkruar prej saj apo bashkëshortit, pasi kanë qenë jashtë Shqipërisë. Ajo sqaroi se ishte kryer akt ekspertim prej nga kishte rezultuar se nënshkrimi nuk ishte i bashkëshortit.
E pyetur nga gjyqtari relator i çështjes, Sokol Çomo lidhur me kreditimet dhe debitimet e kryera në këtë llogari në vitin 2010, Laze shpjegoi se vetëm gjatë hetimit në KPK kishte mësuar se ishte bashkëmbajtëse e kësaj llogarie. Ajo deklaroi se dhe më parë ishte përgjigjur se transaksionet tregonin se llogaria ishte aksesuar dhe nga persona të tretë, pasi dhe ekspertimi kishte treguar se nënshkrimet nuk ishin të saj e të bashkëshortit. Laze pohoi se kishte dyshuar fillimisht se mos ishte përdorur nga ana e vëllait të bashkëshortit, por pas verifikimeve kishin konstatuar se ai kishte qenë së bashku në udhëtim jashtë shtetit. Për rrjedhojë, dyshimet kanë mbetur tek punonjësit e bankës që mund të kenë kryer transkasione për qëllimet e tyre, për përfitime.
Pasi Çomo e pyeti nëse e kishte ndjerë të nevojshme të dinte se kush kishte kryer veprime në llogarinë e një prokuroreje, e cila verifikon ligjshmërinë e veprimeve të personave të tjerë, si dhe nëse kishte kryer ndonjë veprim për të mësuar autorët. Laze ritheksoi se llogaria nuk ishte e saj, por kishte autorizim si bashkëmbajtëse. Ajo pohoi se banka kishte qenë e disponueshme të vendoste në dispozicion dokumentet, por nuk kishte dhënë informacion se si është vepruar nga punonjësit. Laze tha se nuk kishte kryer denoncim, pasi vepra penale ishte parashkruar dhe për çështjen do të vendosej mosfillim hetimesh.
Në vijim, Xholi konstatoi se mbetet i paqartë dhe jo në përputhje me provat konkluzioni i KPK për dhurimin e një sipërfaqe toke prej 500 m2 në Tragjas të Vlorës, në favor të bashkëshortit të subjektit. KPK e ka gjetur të drejtë shpjegimin e subjektit, se toka i është dhuruar bashkëshortit si mirënjohje për shkak të ndihmës juridike që u ka dhënë pronarëve të tokës për t’i regjistruar ato pasuri në emrin e tyre. Sipas KPK, është vërtetuar se kjo pronë nuk rrjedh nga një kontratë shërbimi për të cilën bashkëshorti do të kishte pasur detyrimin të paguante tatim. Ashtu si Komisioneri, edhe drejtuesi i SPAK vlerëson se mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për një dhurim si pretendohet apo është shpërblim për punën e kryer.
Prokurorja Laze deklaroi se konsulenca që u ka dhënë bashkëshorti pronarëve të tokës, nuk ka pasur si qëllim shpërblimin. Sipas saj, bashkëshorti i ka ndimuar dhe ata e kanë dhuruar ngastrën e tokës disa vjet më vonë, në kontekstin e mirënjohjes. Laze nënvizoi se vlera e tokës ka qenë më pak se 100 mijë lekë dhe se është e qartë se bashkëshorti nuk ka pasur arsye për të tjetërsuar natyrën e veprimit juridik.
Çomo drejtoi pyetje dhe për këtë çështje. Laze ripërsëriti se dhurimi nuk lidhej me atë, por me bashkëshortin, për mirënjohje. Lidhur me formën e dhënies së konsulencës nga bashkëshorti, Laze tha se kishte qenë verbale, duke i orjentuar si duhej të ndërmerrnin hapat për të regjistruar tokën. Subjekti pohoi se bashkëshorti nuk i kishte përfaqësuar ndonjëherë këta persona në ndonjë çështje, ndërsa shtoi se nuk kishte dijeni nëse ai ishte përfshirë në regjistrimin e ndonjë prone.
Për një ndërtim pa leje të vjehrrit të subjektit, në proces legalizimi, KPK ka vlerësuar se nuk ka indicie që të kenë lidhje me procesin e rivlerësimit të prokurores Laze. Komisioneri Ballhysa konstatoi në ankim se nga aktet e administruara, ka rezultuar se në datën e firmosjes së deklaratës mbi procedurën e legalizimit, vjehrri i subjektit nuk ka qenë në Shqipëri, por në Itali, atje ku banon që pas viteve ’90. Ndërkohë, përgjatë vitit 2008, kur është deklaruar se është ngritur ndërtimi pa leje, nga të dhënat e sistemit TIMS ka rezultuar se ai ka qënë në Shqipëri për një periudhë 18 ditore. Po ashtu, nga fotot e dorëzuara nga subjekti është konstatuar se ndërtimi është i rrethuar me gardh brenda të cilit gjendet një sipërfaqe e konsiderueshme toke.
Nga aktet e administruara në funksion të verifikimit të kësaj çështjeje, është konstatuar se bashkëshorti i Lazes ka udhëtuar në vitin 2011 së bashku me një shtetase që ka qenë nën hetim nga prokuroria e Vlorës në lidhje me regjistrimin e një sipërfaqe trualli.
Sipas Xholit, duket se konkluzioni i KPK për këtë pasuri nuk bazohet në një hetim të plotë.
Prokurorja Laze deklaroi se në këtë udhëtim, bashkëshorti ka qenë i shoqëruar me prindërit e tij, ndërsa shtetasja në fjalë me bashkëshortin e saj. Subjekti tha se kishin qenë prindërit e bashkëshortit që kishin pasur njohje me familjen e shtetases në fjalë.
Në funskion të pyetjeve të relatorit Çomo, subjekti sqaroi se i kishte bërë me dijeni vjehrrit se ndërtimi ishte në kundërshtim me ligjin dhe prandaj punimet për garazhin nuk kishin vijuar më tej.
Xholi parashtroi edhe gjetjet për figurën. Nga hetimi administrativ është konstatuar se subjekti dhe bashkëshorti kishin udhëtuar së bashku me shtetasin A.M. dhe bashkëshorten e tij në vitin 2015. Gjatë hetimit adminsitrativ paraprak, KPK konstatoi se A.M. ka qenë i proceduar në vitin 2018 nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda për veprën penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, por në vijim i është përcjellë për kompetencë në prokurorinë e Vlorës, ku dhe është pushuar çështja. Prokuroria e Vlorës ka informuar KPK dhe për një procedim penal të vitit 2012 për vepra penale që kanë të bëjnë me krimin e organizuar.
Pas shpjegimeve të subjektit, shumica e KPK ka arritur në përfundimin se Laze e ka plotësuar saktë deklaratën për figurën, pasi edhe nëse ka pasur ose jo dijeni për atë procedim penal, emri i shtetasit A.M. nuk figuron të ketë qenë i regjistruar në regjistrin e veprave penale e për rrjedhojë nuk mund të konsiderohet si kontakt i papërshtatshëm.
Xholi tha se duket se KPK nuk e ka administruar dosjen e plotë. Sipas tij, edhe nëse nuk rezulton kontakt i papërshtatshëm, gjetjet duhet të analizohen në kuadër të vlerësimit të etikës së subjektit.
Relatori i çështjes, gjyqtari Sokol Çomo, i drejtoi disa pyetje për të tre kriteret edhe prokurorit Adnand Xholi. Mes të tjerave, Çomo konstatoi se nga verifikimi i akteve, kanë konstatuar se KPK e i ka kërkuar fashikujt e plotë të çështjes në fjalë dhe janë dërguar nga Prokuroria e Vlorës. Çomo vendosi katër volume në tavolinën e trupës, duke i bërë të dukshme për palët dhe publikun në sallë. Ai sqaroi se dosja është protokolluar një ditë pasi KPK ka marrë vendim për mbylljen e hetimit administrativ.
Xholi vërejti se kur është trajtuar ankimi, aktet nuk kanë qenë të plota. Ai tha se u duhen të katër fashikujt për të konkluduar për këtë pikë të ankimit.
Për pyetjet e tjera ai tha se do të japin përgjigje në konkluzionet përfundimtare.
Në vijim, prej Xholit u konstatua se subjekti dhe bashkëshorti kanë kryer udhëtime të financuara prej klientëve të këtij të fundit. Sipas drejtuesit të SPAK, duket se subjekti ka mungesë të kujdesit të shtuar në veprimtarinë jashtë detyrës. Ai kërkoi që këto gjetje të vlerësohen në drejtim të cënimit të besimit të publikut tek drejtësia.
Në përfundim, prokurori Xholi u shpreh se vendimi i KPK për konfirmimin e Lazes, nuk rezulton të jetë në përputhje me aktet e administruara dhe kërkoi shkarkimin e saj nga detyra.
Prokurorja Eranda Laze e vuri theksin në faktin se nuk ka dyshime për kontakte të papërshtatshme të saj apo të personave të lidhur. Për pushimin e një procedimi, ajo vërejti se e ka deklaruar vetë në pyetësorin standard, pasi nuk ka pasur asgjë për të fshehur. Ajo vërejti se nuk e ka hetuar atë çështje dhe se nuk kishte si të mund ta dinte.
Subjekti e cilësoi qasjen e Komisionerit Publik në kundërshtim me qëndrimet e mëparshme të tij. Laze u shpreh se shtetasi A.M. nuk mund të konsiderohet si person i papërshtatshëm dhe se udhëtimi ka qenë për arsye pune të bashkëshortit.
Lidhur me informacione të publikuara në media për udhëtime me persona me precedentë penalë, Laze pohoi se ata nuk kanë qenë të dënuar më parë. Ajo sqaroi se vetë SPAK ka bërë me dije se nuk ka pasur procedim penal ndaj tyre, ndërsa për një hetim të filluar në Vlorë nuk janë regjistruar emrat e tyre. Laze vërejti se edhe hetimi pa emrat e personave në fjalë është regjistruar dy vjet pas kryerjes së udhëtimit.
Subjekti cilësoi të padrejtë qëndrimin e Komisionerit Publik dhe të drejtuesit të SPAK, se financimet e udhëtimeve nga klientët e bashkëshortit janë dhuratë edhe për vetë atë. Sipas subjektit, nëse këto financime nga klientët e bashkëshortit, do t’i adresoheshin edhe asaj si dhuratë, atëherë dhe çdo e ardhur që i shoqi fiton nga puna e tij si avokat, do të duhej të quhej dhurim në favor të saj.
Laze tha se personat në fjalë nuk kanë të bëjnë me të dhe se ajo nuk është gjetur në kushtet e konfliktit të interesit. Subjekti tha se pagesat e udhëtimeve janë kryer si pasojë e konsulencave që u ka dhënë bashkëshorti klientëve të tij.
Ajo argumentoi se cënimi i besimit ka të bëjë me respektimin e paanshmërisë në gjykim, me profesionalizmin dhe aktet e korrupsionit.
“Në 20 vjet punë ndaj meje janë depozituar vetëm pesë denoncime. Kemi jetuar në një apartament 1+1 me tre fëmijë, të cilët kanë shkruar në çerdhe, kopësht e shkollë publike. Nuk janë konstatuar kontakte të papërshtatshme. Shkaqet e Komisionerit Publik janë të karakterit hipotetik”, deklaroi Laze dhe kërkoi rrëzimin e ankimit dhe lënien në fuqi të konfirmimit në detyrë.
Në përfundim, trupi gjykues vendosi të çeli shqyrtimin gjyqësor, të administrojë aktet e dorëzuara nga subjekti dhe shtyu seancën për më datë 9 korrik, në orën 11:00, kur pritet të paraqiten dhe konkluzionet përfundimtare nga palët./BIRN







