
Tiranë- Dy punonjës sigurie të kompanisë "One Albania" dhe 5 truproja private të "Nazeri 2000" që ruanin godinën e shoqërisë telefonike, janë vënë nën procedim penal nga policia.
Dyshohet se punonjësit, nuk raportuan për ngjarjen e ndodhur më 25 dhjetor të vitit të kaluar në Laprakë ku 2 persona të maskuar kanë hyrë në ambientet e kompanisë dhe kanë dëmtuar drynin e derës së pasme.
Ngjarja është konstatuar nga punonjësi i sigurisë së brendshme të kompanisë në zonën e Laprakës, i cili ka deklaruar se nuk janë marrë sende dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale.
Gentian Koçi dhe Arsil Feshti, të dy punonjës të sigurisë së brendshme të 'One Albania', njoftuan vetëm drejtuesin teknik të shoqërisë së sigurisë "Nazeri 2000" dhe jo policinë, siç duhet bërë në raste të tilla. As përfaqësuesit e tjerë të kompanisë, nuk njoftuan policinë.
Për rrjedhojë ka nisur procedimi penal për veprat “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, ndaj:
• 2 punonjësve të sigurisë së brendshme të kompanisë, shtetasve Gentian Koçi, 50 vjeç dhe Arsil Feshti, 31 vjeç, si dhe drejtuesit të departamentit të zyrave dhe pasurisë të kësaj kompanie telefonike, shtetasit Erald Sina, 38 vjeç.
Po ashtu nisi procedimi penal për veprën “Moskallëzimi i krimit” ndaj:
• drejtuesit teknik dhe 4 punonjësve të grupit të shoqërisë private të sigurisë "Nazeri 2000' që kishte në ruajtje ambientet e kompanisë, shtetasve Alfred Zylalaj, 54 vjeç, Gëzim Sala, 40 vjeç, Koço Veneti., 63 vjeç, Myzafer Dinoshi, 55 vjeç; dhe Ismet Tartari, 62 vjeç.
Policia po heton për të identifikuar autorët e ngjarjes si dhe për të verifikuar nëse janë përmbushur detyrimet ligjore nga kompania private e sigurisë që kishte në ruajtje ambientet e kompanisë telefonike.
Kompania "One Albania", është vënë së fundmi në qendër të vëmendjes, pasi në shkurt të këtij viti, Autoriteti i Konkurrencës njoftoi nisjen e hetimeve ndaj kësaj kompanie dhe "Vodafone Albania" pas ankesave të qytetarëve për abuzime me paketat e shërbimit. Madje "One Albania' përmendet edhe në dosjen hetimore të Veliajt, ku thuhet se sponsorizonte qendrën "Harabel" të Ajola Xoxës me fonde të marra nga bashkia. Versus.al








