
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Lushnjes pak ditë më parë.
Sipas një denoncimi të mbërritur në redaksinë e JOQ mbrëmjen e së enjtes më 20 mars 2025, rreth orës 21:00 dy të rinj ka dhunuar barbarisht një 44 vjeçar, pjesë e komunitetit të personave me aftësi të kufizuar,.
Shtetasi i identifikuar si Fabjol Hysi, i cili as nuk dëgjon dhe as nuk flet, është sulmuar brutalisht nga dy të rinjtë, Enea Korreshi, 17 vjeç dhe Irdi Nasufi, 20 vjeç.
Referuar dëshmisë të siguruar nga JOQ mësohet se dy të rinjtë fillimisht e kanë trembur 44-vjeçarin, teksa ky i fundit është detyruar që të ndryshojë rrugën për t’i shmangur.
Mirëpo, ata nuk janë ndalur me kaq dhe kanë filluar ta godasin me grushta Fabjol Hysin. Situata ka përshkallëzuar ku thuhet se në vijim ka qenë 20-vjeçari ai i cili e ka goditur me një gur në kokë 44-vjeçarin, duke i shkaktuar dëmtime të rënda.
Si pasojë ai ka pësuar fraktura në kafkë dhe hemorragji në tru, ndërsa aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë në luftë për jetën.
Duke qenë se Fabjol Hysi e ka të pamundur të dëgjojë dhe të flasë, ai është ndjerë i pafuqishëm para dy të rinjve dhe nuk ka mundur dot që të kërkojë ndihmë.
Fatmirësisht, kamerat e sigurisë së bizneseve pranë vendngjarjes kanë dokumentuar sulmin, duke ndihmuar në identifikimin dhe arrestimin e autorëve.
Deri më tani nuk ka një reagim nga Policia e Shtetit në lidhje me këtë ngjarje dhe të gjitha informacionet e mësipërme janë siguruar në rrugë jozyrtare nga JOQ.
“Ata fillimisht e kan trembur , dhe ai ka devijuar rruge duke i shmangur, por ata e grushtuan , dhe te mos mjaftonte kjo Irdi Nasufi i gjuan me gur ne koke duke i shkaktuar deme serioze qe kan ven ne rrezik jeten e tije, duke i thyer kafken dhe duke shkaktuar hemorragji ne tru. Aktualisht ai esht duke luftuar per jeten tek trauma.
Dhe duke qen person qe nuk degjon e nuk flet ai ska pasur mundesi te kerkoj ndihme . Djemt jan arrestuar pasi kamerat e bizneseve perreth kan filmuar dhe jan identifikuar , dhe me i dhimbshem eshte fakti se po perpiqen te fshehin ngjarjen duke mos e publikuar ne asnje medja kete tentativ per vrasje.”, thuhet në mesazhin që ka ardhur pranë redaksisë së JOQ.








