
Ekzekutorët me pagesë duket tashmë se vijnë edhe nga vende të huaja për të kryer krime në Shqipëri për llogari të grupeve të ndryshme kriminale. Kështu duket të jetë edhe rasti i ekzekutimit të Ermir Dedjas, disa ditë më parë në lagjen nr.18 të Durrësit ku u qëllua me breshëri kallashnikovi.
Policia ka shpallur në kërkim dy persona, njëri shqiptar dhe një tjetër shtetas i Marokut i cili u largua nga vendi ynë një ditë pasi kishte kryer vrasjen. Makina që u përdor për vrasjen, ishte sjellë nga marokeni nëpërmjet portit të Durrësit.
Një ditë pas vrasjes, ai ka përdorur aeroportin e Rinasit për t’u nisur drejt Italisë me qëllim për të humbur gjurmët. Policia nuk ka publikuar ende identitetet e autorëve të dyshuar, por është vënë në ndjekje të tyre.
Dyshimet janë se ekzekutimi i Dedjas lidhet me një hakmarrje të mundshme apo larje hesapesh mes grupeve kriminale. Versus.al







