
Policia ka arrestuar Lindion Hakën, djalin e një ish-kandidati për deputet të Partisë Demokratike, në kuadër të operacionit “Fake Star 5”.
I riu 21-vjeçar rezulton bashkë-administrator i një fabrike në rrugën e Arbrit, ku – sipas policisë – prodhoheshin veshje të kontrabanduara, të cilave iu stampoheshin logot e markave luksoze ndërkombëtare. Pra, Gucci në letër, Made in China në realitet.
Në pranga ra gjithashtu edhe një shtetas turk, O.S., 46 vjeç, që nuk dihet nëse sillte "ekspertizën" apo thjesht modelet. Dyshja ishte shpallur në kërkim dhe tashmë akuzohen për magazinim dhe shpërndarje të mallrave të falsifikuara.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik, me mbështetjen e komisariateve nr. 3 dhe 4 në Tiranë, të cilët zbuluan dy ambiente të mbushura me veshje të kontrabanduara.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i kontrolleve të kryera me mbështetjen e inteligjencës policore, në vijim të operacionit “Fake Star 5”, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me komisariatet e Policisë Nr. 3 dhe Nr. 4, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin turk O. S., 46 vjeç, si dhe shtetasin L. H., 21 vjeç.
Ata ishin shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Fake Star 5”, sepse dyshohet se janë përfshirë në veprimtaritë kriminale të magazinimit në 2 ambiente në fshatin Brrar, të veshjeve të kontrabanduara, të cilave iu stampoheshin logo false të markave të njohura ndërkombëtare.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. Versus.al







