
Një rrjet i organizuar kriminal shqiptar që merrej me shpërndarjen e kokainës në Mbretërinë e Bashkuar është goditur pas një operacioni të gjerë të Policisë Metropolitane të Londrës në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Krimit (NCA), duke çuar në dënime që kapin në total mbi 65 vite burg.
Në qendër të këtij rrjeti ishte Redon Bushi, 32 vjeç, i identifikuar si kreu i grupit, i cili kishte krijuar një rrjet të mirëstrukturuar të importuesve dhe shpërndarësve të drogës në të gjithë vendin.
Dënimi i organizatorit dhe zbulimi përmes EncroChat
Redon Bushi pranoi në Gjykatën e Lartë të Kingston-upon-Thames dy akuza të rënda – për furnizim me lëndë narkotike të klasit A dhe për pastrim të parave të pista. Më 9 korrik 2025, ai u dënua me 24 vite e 10 muaj burg.
Hetuesit zbuluan se Bushi kishte shpërndarë 832 kilogramë kokainë, me një vlerë të përllogaritur deri në 81.6 milionë paund. Ky zbulim u bë i mundur falë hetimeve mbi rrjetin EncroChat dhe aplikacionin Signal, ku Bushi përdorte pseudonimin “Sealvermouth”.
Teknikat e avancuara dhe arrestimet
Policia Metropolitane dhe NCA përdorën mjete të sofistikuara hetimore, duke përfshirë analizimin e komunikimeve të koduara, kontrollin e pajisjeve elektronike dhe mbikëqyrje përmes kamerave të sigurisë.
Në qershor 2020, një nga korrierët kryesorë të Bushit, Ahmad Jabarkhill, u ndalua me gati 700,000 paund në para të gatshme. Kjo çoi në zbulimin dhe identifikimin e tre bashkëpunëtorëve të tjerë: Arline Sida, Luke Ferguson dhe Kelvin Hoxha.
Në gusht 2023, Sida dhe Hoxha u arrestuan në Brentford, duke transportuar 6 kilogramë kokainë. Më pas, Ferguson u kap në një “shtëpi të sigurt”, ku autoritetet zbuluan 72 kilogramë kokainë me një vlerë tregu prej mbi 6.2 milionë paund.
Arratia dhe kapja e Bushit
Pas arrestimit të bashkëpunëtorëve, Bushi tentoi t’i shmangej arrestimit duke qëndruar në disa hotele të ndryshme. Por, pas një kërkimi intensiv, ai u kap në qytetin Reading, disa ditë më vonë.
Dënimet e anëtarëve të tjerë të rrjetit:
• Ahmad Jabarkhill, 32 vjeç – dënuar më 22 korrik 2020 me 2 vite e 3 muaj burg
• Arline Sida, 23 vjeç – dënuar më 9 korrik 2025 me 12 vite e 9 muaj burg
• Kelvin Hoxha, 23 vjeç – dënuar më 9 korrik 2025 me 11 vite e 8 muaj burg
• Luke Ferguson, 32 vjeç – dënuar më 9 korrik 2025 me 14 vite e 5 muaj burg
Hetuesi David Leitner, nga Policia Metropolitane, u shpreh:
“Ky rast dëshmon vendosmërinë tonë për të çmontuar rrjetet e krimit të organizuar. Bushi besonte se platformat e koduara e mbronin nga drejtësia, por në të vërtetë ato na ofruan provat kryesore për ndjekjen penale. Ne do të vazhdojmë të ndjekim pa pushim ata që përfshihen në trafikun e drogës dhe dëmtojnë komunitetet tona.” /Versus.al







