Një ngjarje që ka tronditur zemrat e të gjithë shqiptarëve ka ndodhur këtë të diel, më 19 tetor, në bllokun nr. 3 të qytetit të Maliqit. Një nënë dhe djali i saj 14-vjeçar humbën jetën në mënyrën më të dhimbshme nga asfiksia, mes tymit dhe panikut të një banese që u përfshi nga zjarri.
Viktima është Merjeme Azizllari, nënë e dy fëmijëve me spektrin autik, e cila nuk arriti të dilte nga shtëpia, ashtu si djali i saj i madh, L. Azizllari. Vetëm vajza e vogël, 6 vjeçe, ia doli të shpëtonte, por ndodhet në gjendje kritike në spital, me djegie të rënda në trup.
Jetë e vdekje në varfëri...
Fqinjët, të tronditur nga tragjedia, kanë folur për median me lot në sy. Ata rrëfejnë një realitet të rëndë që familja përjetonte çdo ditë, varfëri ekstreme, dy fëmijë me nevoja të veçanta dhe një nënë që përpiqej të përballonte gjithçka me durim, heshtje dhe pa i rënë në qafë askujt.
Benereta Pashollari, një nga fqinjët më të afërt, kujton: “Ishte një nënë që bënte ç’të mundte për fëmijët. Kishte një ekonomi të dobët, i ndihmonte bashkia me ndihmë ekonomike e ndonjë ushqim. Djali ishte më i madh, ecte, vajza më e vogël lëvizte më pak. Të dy ishin fëmijë me autizëm. Ishte e vetme, e lodhur, por përpiqej.”
Ajo shton me zë të dridhur se shpesh banorët e lagjes e ndihmonin, sepse shihnin se nuk kishte kush t’i rrinte pranë.
“Ne i çonim rroba, ushqime, i thoshim t’i lante fëmijët, t’i mbante pastër. Nuk i binte në qafë askujt, por ne e shihnim që ishte në hall.”
Vogëlushja shpëton për pak sekonda
Zjarri dyshohet se ka nisur nga një dyshek sfungjeri, ku fëmijët zakonisht luanin. Nuk pati flakë të mëdha, por tymi i dendur ishte vdekjeprurës. Fqinja Pashollari beson se fëmijët mund të kenë ndezur zjarr pa e kuptuar rrezikun, siç kishin bërë më parë në raste të tjera.
“Sfungjeri digjet shpejt dhe jep shumë tym. Nuk kishte flakë, por kishte tym të tmerrshëm. Vajza është hedhur nga dritarja, kurse nëna dhe djali nuk mundën të dilnin. Ata nuk flisnin, nuk reagonin si fëmijët e tjerë.”
Një grua tjetër nga lagjja, që ishte thirrur nga Merjemja për një ndihmë pak çaste para tragjedisë, është ajo që shpëtoi vajzën.
“E mora në telefon për një punë dhe kur po vinte, dëgjoi të bërtiturat. Vajza i binte derës me shkelma. Ishte tmerr. Ajo dhe një tjetër komshie vrapuan. Vetëm vajza shpëtoi.”
Fillimisht, të tre u nxorën të gjallë, por shumë shpejt Merjeme Azizllari ndërroi jetë nga asfiksia në banesë. Djali 14-vjeçar vdiq më vonë në spital, ndërsa vajza 6-vjeçare ndodhet nën kujdes intensiv, duke luftuar për jetën.
Policia dhe zjarrfikësit mbërritën me shpejtësi, por për nënën dhe djalin e saj ishte shumë vonë. Shtëpia ishte e vogël, tymi kishte mbushur çdo cep dhe ajri ishte bërë i pamundur për t’u thithur.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur punën për të përcaktuar shkakun e saktë të zjarrit, ndërsa komuniteti i lagjes është ende në shok.







