Ditën e sotme, brigjet shqiptare ishin skenë e një stërvitjeje të përbashkët ushtarake ndërmjet Forcës Detare Shqiptare dhe Forcave të NATO-s, në kuadër të rritjes së gatishmërisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në këtë operacion të gjerë, morën pjesë edhe forcat nga Skuadroni i Sigurisë së Ekspeditës Detare të Marinës Amerikane, të cilat patrulluan përkrah trupave shqiptare në një mision demonstrues të aftësive ndërvepruese detare dhe të sigurisë.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, përmes një postimi zyrtar, publikoi fotografi nga stërvitja, duke e cilësuar këtë ndërveprim si një moment kyç për forcimin e lidhjeve ndërmjet aleatëve të NATO-s dhe garantimin e sigurisë në rajonin e Adriatikut dhe më gjerë.
“Kjo stërvitje dëshmon angazhimin e palëkundur të SHBA dhe aleatëve për të ndërtuar një arkitekturë sigurie të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane.
Kjo stërvitje vjen në një kohë kur prania ushtarake dhe bashkëpunimi mes forcave të NATO-s në rajon konsiderohen thelbësore për ruajtjen e stabilitetit dhe përballimin e kërcënimeve të përbashkëta. /Versus.al







