AKTUALITET /

Operacion antidrogë pranë kufirit shqiptaro-grek, sekuestrohen 96 kg marijuanë; arrestohet një 61-vjeçare nga Athina

Gjatë kontrollit të një automjeti të marrë me qira, që drejtohej nga gruaja me origjinë nga zona e Moskatos në Athinë, policia zbuloi dhe sekuestroi 90 pako me marijuanë me peshë totale 96 kilogramë e 74 gramë

Shkruar nga Versus

Operacion antidrogë pranë kufirit shqiptaro-grek, sekuestrohen 96 kg

Një tjetër goditje ndaj trafikut të drogës është shënuar mëngjesin e sotëm pranë kufirit shqiptaro-grek, ku autoritetet greke kanë sekuestruar mbi 96 kilogramë lëndë narkotike dhe kanë vënë në pranga një grua 61-vjeçare nga Athina.

Operacioni u zhvillua nga oficerët e Departamentit të Narkotikëve pranë Nëndrejtorisë së Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve në Igumenicë. Gjatë kontrollit të një automjeti të marrë me qira, që drejtohej nga gruaja me origjinë nga zona e Moskatos në Athinë, policia zbuloi dhe sekuestroi 90 pako me marijuanë me peshë totale 96 kilogramë e 74 gramë.

Përveç sasisë së drogës, autoritetet gjetën edhe 5.21 gramë kokainë, një sasi të vogël hashashi të llojit “çokollatë”, 100 euro si dhe dy telefona celularë.

Sipas hetimeve paraprake, droga dyshohet të jetë trafikuar nga zona e Sarandë, duke kaluar përmes fshatrave të Konispol. Ky është rasti i dytë i kapjes së një sasie të madhe narkotikësh në zonën e Igumenicës brenda tetë ditëve të fundit.

Vetëm një javë më parë, në zonën e Nea Selefkias, policia greke sekuestroi rreth 110 kilogramë marijuanë dhe arrestoi një shtetas turk, ndërsa droga dyshohej se kishte hyrë nga fshati Ciflik i Konispolit.

Për të dy rastet, autoritetet greke kanë njoftuar homologët shqiptarë, përfshirë strukturat e Policisë Kufitare në Sarandë. Ndërkohë, grupet e kontrollit janë angazhuar në monitorimin e kufirit të gjelbër dhe të hapësirës detare për identifikimin e personave të përfshirë në rrjetet e trafikimit.

Burime hetimore dyshojnë se në jug të vendit janë riaktivizuar linjat e trafikut të drogës drejt Greqisë. Sipas të dhënave të autoriteteve greke, gjatë 10 muajve të fundit në rajonet e Igumenicës, Janinës, Kosturit dhe Selanikut janë sekuestruar rreth 1.2 ton marijuanë me origjinë të dyshuar nga Shqipëria.

Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe zbardhjen e plotë të rrjetit të trafikimit.Versus.al

Poll