
Në Apelin e Gjykatës së Posaçme u zhvillua sot seanca e radhës për Fëstim Bexhdilin, kopshtarin e kompleksit “Golden” për ngjarjen e ndodhur në janar të 2020-ës, ku pamjet tregonin sesi transportohej trupi i pajetë i Jan Prengës i cili ende nuk është gjetur edhe sot e kësaj dite.
Gjatë seancës, Ilir Murati, avokati i kopshtarit të dënuar me burgim të përjetshëm pretendoi se në pamjet filmike klienti i tij nuk duket në asnjë moment duke kryer veprime. Ai thotë se është e padrejtë që ngjarja kërkohet t’i faturohet Bexhdilit.
“Në asnjë momet nga pamjet filmike, nuk duket Festim Bexhdili duke kryer veprime. SPAK thotë se Bexhdili ka zbritur viktimën nga njëra makinë në tjetrën. Është ose gabim nga kqyrja ose me keqdashje. Ku thuhet nga SPAK se Bexhdili pasi e merr viktimën nga një automjet në tjetrin ikën bashkë me persona të tjerë, për ta zhdukur. Është totalisht e padrejtë. Meqë çështja është me dyer të hapura, dua ti mbaj publike këto qëndrime. Marrim ndoshta dhe specialist ekspert për të vërtetuar pretendimet tona”- argumentoi avokati.
Nga ana tjetër nuk mungoi as përgjigjia e prokurorit të SPAK, Behar Dibra i cili thotë se pamjet tregojnë momentin kur Bexhdili dhe Aldo Majnishta nxjerrin trupin nga bagazhi i mjetit “Mercedez Benz”
“Na rezulton se Festim Bexhdili me Aldo Majnishta nxjerrin trupin nga bagazhi i mercedez dhe e mbulojnë me çarçaf, në orën 18:12, në 18:30, automjeti del nga harazhi i “Golden Resort”. Na rezulton se Bexhdili është larguar me të tjerët nga garazhi dhe është kthyer sërish aty”- tha Behar Dibra.
Nga ana tjetër i pandehuri tjetër Aldo Majnishta ka refuzuar të japë deklarime. Ndërsa ‘mbreti’ i trafikut të kokainës nga Amerika Latine, Dritan Rexhepi nuk pranoi të paraqitej për të dhënë dëshmi duke thënë se do të përfaqësohej nga avokatja, por as kjo e fundit nuk u paraqit. Gjyqtari Engert Pëllumbi tha se në seancën e ardhshme Rexhepi është i detyruar të paraqitet pavarësisht se ka të drejtën të mos dëshmojë. Seanca e radhës do të bëhet nesër në orën 09:00 të mëngjesit. Versus.al







