AKTUALITET /

Goditi sekretarin e KZAZ për një fletë votimi, lihet në burg mbështetësi i kandidatit të PS

Sipas prokurorisë së Tiranë, Rei Nozlli po e ndiqte procesin e numërimit pa e patur statusin e vëzhguesit.

Shkruar nga Versus

Goditi sekretarin e KZAZ për një fletë votimi, lihet në burg

Tiranë- Gjykata ka konfirmuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Rei Nozllnin, të riun i cili dy ditë më parë goditi me grushte sekretarin e KZAZ në Kashar, Remzi Memedi gjatë procesit të numërimit.

26 vjeçari i arrestuar ishte angazhuar si vëzhgues i kandidatit të PS, Ornaldo Rakipi i cili kandidon në listën e hapur të Tiranës, por po ndiqte procesin e numërimit pa e patur statusin e vëzhguesit. 

Sipas hetimeve, sherri ka ndodhur për një votë të cilën komisioneri e kishte caktuar sit ë pavlefshme. Në atë moment Nozlli dhe disa persona të tjerë e kanë sulmuar.

“Në datën 15.05.2025, në KZAZ nr.30, Kashar, ka qenë duke u zhvilluar procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë që kanë garuar në zgjedhjet e përgjithshme të datës 11.05.2025. Rreth orës 14.00’, gjatë procesit të numërimit, numëruesi përkatës ka deklaruar të pavlefshme një votë dhe atë moment shtetasi R.N. dhe disa persona të tjerë që ndodheshin me të, kanë reaguar duke bërtitur, duke shprehur mosdakortësinë me këtë vendim të numëruesit.

Këta persona qëndronin në ambientet e numërimit të votave dhe ndiqnin procesin, pa patur statusin e vëzhguesit të asnjë subjekti politik. Mbas identifikimit të këtij reagimi, kallëzuesi R.M., në cilësinë e sekretarit të KZAZ nr.30 dhe në ushtrim të detyrës funksionale, u kërkoi të qetësohen, pasi do të mblidhte komisionin dhe do të bënin vlerësimin e votës së kontestuar, por grupi i personave nuk ndaloi dhe vijuan me fjalë fyese. Në këtë situatë, kallëzuesi u kërkoi që të qetësohen, mbasi përndryshe do t’i nxirrte jashtë nga ambienti i numërimit të votave. Menjëherë mbas kësaj, shtetasi R.N. kaloi shiritin e perimetrit të sigurisë dhe shkoi drejt tij duke e goditur me grushta dhe shkelma. Mbas tij shkuan edhe personat e tjerë, por numëruesit që ishin aty afër ndërhynë, duke u munduar që t’i mbajnë fizikisht”- sqaron prokuroria.

Ndaj 26 vjeçarit të arrestuar rëndon akuza për veprën penale “kanosje apo dhunim i pjesëmarrësve në zgjedhje”. Versus.al

Poll