Grabitja e kryer ditën e djeshme nga Bardhyl Fusha në ambientet e “Fibank”, u ndërmor në kushte dëshpërimi. Vetë ai deklaroi sot në gjykatë se shkak për këtë krim ishin borxhet që ai kishte ndaj punëtorëve të tij duke qenë se zotëronte një firmë ndërtimi.
Bëhet fjalë për afro 70 milionë lekë të vjetra detyrime të papaguara ndaj punëtorëve të tij. Sipas të dhënave të publikuara në faqen online të Qendrës Kombëtare të Biznesit, rezulton se Fusha është administrator i “Danieli Millenium”, kompani ndërtimi e themeluar në shtator të 2018-ës me pronar djalin e tij. Ndaj kësaj kompanie janë vendosur në total 5 herë masa të sigurimit të detyrimit tatimor në mënyrë që të mos lejohej tjetërsimi i pasurive të paluajtshme. Që prej vitit 2023 ajo rezulton me humbje dhe pa aktivitet.

Më herët, Bardhyl Fusha ka patur një tjetër kompani “2D Construction”, aksionet e të cilës i shiti. 58 vjeçari me origjinë nga Gramshi, jeton në Tiranë së bashku me familjen në një banesë me qira.
Në dëshminë e dhënë më herët, ai ka zbuluar se e kishte zgjedhur për të kryer grabitjen në këtë bankë pasi shkonte shpesh për të kryer pagesa. Pasi parkoi pranë institucionit bankar, ai hyri brenda dhe nxori kallashnikovin, të cilin tha se kishte ruajtur që prej vitit 1997. Ai arriti të merrte 8 milionë lekë të vjetra ndërsa u kap nga policia në dalje të bankës. Versus.al



