
Vrasësi me pagesë, Nuredin Dumani pasi u bë i penduar i drejtësisë rrëfeu shumë ngjarje kriminale në të cilët kishte marrë pjesë vetë dhe disa prej të cilave kishte dijeni, mes tyre edhe grabitja e Rinasit.
Dumani ka rrëfyer se në kohën kur ndodhi grabitja e Rinasit, ndodhej në një burg të Francës ndërsa zbuloi se edhe vëllai i tij Dashnor Dumani ka qenë pjesë e grupit të grabitësve. Në dosjen që Versus.al ka siguruar, Dumani në dëshminë e tij thotë se pasi ishte kthyer nga Franca ishte takuar me Talo Çelën në kohën kur ky i fundit ka qenë në arrati dhe i kishte treguar detaje nga grabitja.
“Talo Çela ka ardhur te shtëpia ime në Nishtullë në kohën ishte në kërkim për grabitjen e Rinasit. Atë natë kemi biseduar deri në 3 të mëngjesit. Altin Ndocin e njoha per herë të parë atë natë. Altin Ndoci e shoqëronte Talon kudo. Pas ditësh jemi takuar perseri dhe po flisnim për ngjarjet që kishin ndodhur kur unë isha në Francë. Në grabitjen e Rinasit Talo ka qenë shofer i furgonit me të cilen u realizua grabitja. Di që fugonin e kanë marre të Shkembi i Kavajës në Golem. Fugoni është modifikuar te servisi i Gent Sharrës dhe lyerja është bërë tek servisi i Dorjan Shkozës. Dashi me ka treguar se, ditën e ngjarjes qe është bërë grabltja e parave ne Rinas, fugoni ka ardhur nga njerëzit e Admir Muratajt. Nga Talo Çela kam mësuar se personat që kanë hapur zjarr ndaj policisë kanë qenë Eldi Çala dhe Admir Murataj”- zbuloi Dumani ndër të tjera.
Një prej furgonëve të përdorur nga grabitje, Dumani zbuloi se ishte djegur nga vëllai i tij Dashnor Dumani i cili ishte paguar nga Talo Çela me 30 mijë euro. Ndërsa vetë Talo Çela i ka rrëfyer Dumanit se nga grabitja e Rinasit, ka marrë 600 mijë euro.
Më tej, Nuredin Dumani tregon se vëllai i tij Dashnor Dumani i ka treguar se për vlerën e parave që kalonte në Rinas, Eldi Çala ishte informuar nga e dashura e tij E.Bici e cila asokohe ishte punonjëse policie. Ditën e ngjarjes, kjo e fundit i ka dërguar SMS Eldi Çalës për mbërritjen e parave në Rinas dhe më pas e ka hedhur telefonin në tualet.
Pas ngjarjes së Rinasit, Dumani ka rrëfyer se ka kërkuar azil në Francë me arsyetimin se vëllai i tij ishte një prej autorëve të grabitjes dhe prandaj nuk mund të kthehej në Shqipëri për shkak se do të fillonin vrasje në grupe të ndryshme. Kërkesa e tij për azil u refuzua pas 6 seancave gjyqësore dhe në 2019-ën Dumani u kthye në Shqipëri me një ekspuls 3 vjeçar nga vendet e Bashkimit Europian. Versus.al








