GRAMSH – Të alarmuar dhe të indinjuar, disa prindër dolën në protestë këtë të hënë përpara kopshtit shtetëror në Gramsh, pas lajmit tronditës se dhjetëra fëmijë janë helmuar, nga ushqimi i servirur në institucion.
Ngjarja, sipas prindërve, ka nisur që prej javës së kaluar. Fillimisht, fëmijët janë trajtuar si raste të zakonshme të virozave të stinës. Por simptomat ishin të njëjta për të gjithë: temperaturë, të vjella, diarre të shpeshta dhe dhimbje barku të forta. Vetëm pas disa ditësh, diagnoza e vërtetë doli në dritë – salmonela.
“Unë kam qenë rasti i parë dolën analizat dhe u tërhoqem I mjekojmë në shtëpi fëmijët. Kanë patur të vjella, diarre çdo 10-15 minita. 72 orëshi ishte tmerr. Është e sigurtë që ka ndodhur në kopësht. Kam dy binjakë, shyqyr që nuk kisha fëmijën tjetër se e kisha me li dhe po të ishte në kopësht do kishte bërë koktej infeksionesh.
Pasi u përhap filluan të lëvizin, por vonuan. Dezifektime kam parë që janë bërë, analiza vetëm unë kam marrë me institim. Nga edukatoret nusja thotë që supën e pulës kanë konsumuar po s’kam informacion më zyrtar. Më është ndaluar se duke qenë sëmundje ngjitëse më është ndaluar ta çoj në pavion se mund të përhapet ndaj e mjekoj në shtëpi.” – u shpreh njëri prej prindërve.
Një tjetër prind shprehet i revoltuar nga mungesa totale e komunikimit me institucionet.
“Na mori tri ditë që të merrnim një përgjigje zyrtare. Fëmija më rezultoi pozitiv me salmonelë. Shteti? As nuk e kemi parë, as nuk kemi marrë një telefonatë. Ilaçet i kemi blerë vetë, me paratë tona. Dhe kur mendon që ushqimi në kopsht jepet nga një kompani private, përmes një tenderi online… Nuk jam dakord me këtë. Dua të di kush mban përgjegjësi!”- tha ai.
Shumë prindër ngrenë shqetësimin për mënyrën si është menaxhuar rasti – pa transparencë, pa reagim të shpejtë dhe mbi të gjitha, pa siguri për fëmijët.
“Fëmija im është i sëmurë që prej të martës. Dhimbjet vazhdojnë. Nëse organet përkatëse nuk kontrollojnë si duhet këto çështje, s’kam më asnjë siguri ta çoj përsëri në atë kopsht. Dua siguri, të paktën për ushqimin që fëmija im konsumon”, tha një tjetër prind.
Ndërkohë një nënë e re po ashtu të prekur në Gramsh, ka kërkuar siguri për fëmijën.
Është i konfirmuar me salmonelë, njoftimin e mora të hënën në drekë. Sot po bëjmë 8 ditë që vijon me dhimbje stomaku, diarre ka qenë me temperaturë 3-4 ditë. Për dezifektime janë bërë dhe në spital dhe kopsht. Kam dhe një vajzë tjetër, kemi çuar analiza se është sëmundje ngjitëse. E kam kuruar me medikamente për viroze, kurse të enjten mora vesh që kishte salmonelë. Kemi 8 ditë që jemi trembur dhe jemi në gjendje ankthi dhe shoku. Por, kërkoj që të paktën te fëmija im, kërkoj siguri të paktën për ushqimin që fëmija konsumon duhet të jetë i sigurtë.” -tha ajo.
Ndërkohë, është konfirmuar zyrtarisht se disa nga fëmijët janë infektuar me salmonelë. Prindërit thonë se kanë kaluar në një gjendje të zgjatur ankthi e shoku për gati 8 ditë, ndërsa kërkojnë përgjigje dhe përgjegjësi nga institucionet shëndetësore dhe arsimore. Versus.al







