
Pas urdhrit të drejtorit të policisë Skënder Hitaj për ndryshimin e mënyrës së kontrollit dhe monitorimit të trafikut duke përdorur më shumë mjetet inteligjente, dronët e policisë kanë gjobitur një numër të madh drejtuesish automjetesh.
Përgjatë një jave, policia Rrugore bën me dije se ka vendosur 21.931 gjoba. Ndërsa janë arrestuar 36 drejtues automjetesh, 22 prej të cilëve në gjendje të dehur.
Në qytete janë vendosur 11.526 gjoba për parkime të gabuara dhe në dhjetëra raste policia ka përdorur edhe mjetet ngritëse për të hequr makinat e parkuara në korsi të dedikuara apo trotuare.
Ndërsa në akset rrugore kombëtare janë vendosur 4775 gjoba për shpejtësi tej normave të lejuara.
“Janë vendosur 1 224 masa për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, 302 për mosvendosje të rripit të sigurimit, 789 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit, 1 235 për parakalime të gabuara, 83 për drejtim mjeti në efektin e alkoolit dhe në gjendje të dehur, 139 për zhurma dhe manovra të rrezikshme në qendrat urbane, si dhe 1 858 për shkelje të tjera të evidentuara gjatë monitorimeve”- njofton policia.
Nisur edhe nga rritja e numrit të përdoruesve të automjeteve rrugore dhe fluksi i turistëve, policia thotë se ka shtuar monitorimet me dronë e mjete inteligjente. Çdo gjobë e vendosur do t’u pasqyrohet drejtuesve të makinave në portalin e-Albania. Versus.al

