Së fundmi, shumë media të huaja, por edhe vendase kanë ngritur shqetësimin dhe frikën për një virus të ri në Kinë që rrezikon të përhapet edhe në shtetet e tjera.
Metapneumovirusi njerëzor (HMPV) është një virus respirator që shkakton simptoma të ngjashme me ftohjen apo gripin. Mjeku Ilir Alimehmeti i ftuar në emisionin “Review” ditën e djeshme foli lidhur me këtë çështje duke nënvizuar se nuk ka arsye për alarm.
Ai thekson se ky virus ka qenë ekzistent dhe më përpara, por është identifikuar që në vitin 2001.
“Ky është një virus që e kemi identifikuar që në 2001 në Hollandë, ka qenë dhe më përpara. Virusi e bën këtë punë e bën në mënyrë sezonale, çdo dimër dhe pranverë. Si çdo virus, ka disa sezone pak më të larta dhe të ulëta. Mbas shqetësimeve, rastet janë raportuar në disa vende të botës, 10 deri në 12 % e rasteve të infeksioneve respiratore, janë nga HMPV-ja. Nga të cilat 5-16% mund të bëjnë infeksione të poshtme respiratore që kanë nevojë për një trajtim më të kujdesshëm”- tha Alimehmeti.
Sipas mjekut, nuk ka nevojë për trajtim specific për këtë lloj virusi apo një vaksinë të caktuar, por nuk duhet lënë mënjanë kujdesi për të pasur një sistem të fortë imunitar.
“S’kemi asnjë vend për panik dhe nuk flasim për diçka të re. Nuk ka hapësirë apo nevojë për vaksinë apo trajtim antiviral. Si çdo virus respirator, ka tendencën të prekë më shumë fëmijët e vegjël, moshat e mëdha apo personat me sëmundje. Nga ana tjetër nuk është e parandalueshme thjesht duhet mbajtur një sistem imunitar sa më i shëndetshëm”, tha mjeku Ilir Alimehmeti. Versus.al








