Një letër drejtuar prokurorëve të Romës ka hedhur dritë mbi rrethanat e vrasjes makabre të 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula, e cila jetonte në kryeqytetin italian. Autori i dyshuar i krimit, Mark Samson, 23 vjeç me origjinë nga Filipinet, rrëfen në detaje natën fatale dhe përpjekjet për të zhdukur trupin e viktimës.
Sipas letrës së tij, mbrëmja e 25 marsit nisi me një bisedë të gjatë midis çiftit për marrëdhënien e tyre, e cila, sipas Samsonit, po kalonte një krizë. “Nga ora 22:15 deri në mesnatë folëm për marrëdhënien tonë. Më shqetësonte fakti që ajo po kërkonte njerëz të tjerë për t’u lidhur, ndërsa unë isha lodhur duke pritur”, shkruan ai.
Ilaria kishte kërkuar të qëndronte atë natë në banesën e Samsonit, ku ai jetonte me prindërit, në rrugën Homs, në lagjen “Afrikane” të Romës. Ai i dha pizhame për të fjetur dhe, sipas rrëfimit të tij, u shtrinë së bashku duke kujtuar momentet e bukura që kishin kaluar. “Flisnim për përvojat tona, udhëtimet, nofkat që i vinim njëri-tjetrit: ‘Zemër’, ‘Shpirt’, e më pas dhe ato në gjuhën time: ‘Bebe Ko’, ‘Mahal’, ‘Asawa’…”, tregon ai.
Megjithatë, mëngjesin e 26 marsit, gjithçka mori një kthesë tragjike. Në letër, Samson përshkruan momentin e vrasjes me thikë të Ilarias, pa dhënë shumë detaje rreth aktit vetë, por përqendrohet te veprimet pas krimit. Ai tregon se e futi trupin e pajetë në një valixhe dhe e transportoi atë me karrocë deri në makinën e tij. “Ishte një ditë me diell të verbues. Shoh dy vajza që më afrohen, i lë të kalojnë dhe ngre karrocën pa ndihmë. Hapa bagazhin e makinës, ndalem për pak të rifitoj forcën, e vendosa çantën në anën e djathtë dhe nisa rrugën pa një drejtim të caktuar”, shkruan ai.
Rreth orës 16:30, ndalet në një tabakino për të blerë cigare dhe një çakmak, përpara se të hedhë valixhen me trupin në një përrua në zonën e Capranica Prenestina.
Samson aktualisht ndodhet në burgun Regina Coeli në pritje të gjykimit, i akuzuar për vrasje me dashje dhe fshehje të një kufome. /Versus.al/








