Policia shqiptare ka kërkuar informacione nga Spanja për lëvizjet e viktimës Gilmando Dani dhe të plagosurit, Muçi Shaljani mbi lëvizjet e tyre para se të mbërrinin në Rinas dhe të binin pre e atentatit ku u qëlluan me rreth 100 plumba.
Deri më tani, ende nuk ka një përgjigjie nga Spanja, ndërsa në polici janë shoqëruar 15 persona, njerëz të afërm të viktimës dhe të plagosurit.
Sipas ekspertizës, viktima Gilmando Dani ka marrë 20 plumba, çka i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendngjarje. Policia ka zhvilluar disa kontrolle në Tiranë, Nikël dhe Fushë Krujë, por deri më tani nuk është gjetur asgjë që mund të ndihmojë për hetimin dhe zbardhjen e atentatit që tronditi vendin për mënyrën sesi persona të armatosur hapën zjarr në zonën më të frekuentuar rreth orës 14:00.
Dani dhe Shaljani sapo ishin kthyer nga Spanja ku kishin qëndruar për 4 ditë në zonën e Barcelonës. Dyshohet se autorët kanë patur informacion të detajuar nga një person që mund të ketë udhëtuar me ta që nga Spanja. Krimi i rëndë zbuloi edhe një skandal tjetër sesi një personazh si Muçi Shaljani i cili nuk plotësonte asnjë kusht ishte punësuar në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore ndërkohë që gjatë gjithë kohës shoqëronte krahun e djathtë të Emiljano Shullazit, një emri të njohur të botës së krimit. Versus.al



