Katër ditë pas atentatit të rëndë në Lundër, ku mbetën të plagosur katër persona, përfshirë dy fëmijë, hetimet vijojnë me shumë pikëpyetje dhe pa asnjë autor të identifikuar.
Dy atentatorët, të armatosur me kallashnikovë dhe duke përdorur një motor, udhëtuan rreth 8 kilometra pas sulmit deri në fshatin Fikas. Aty, mes bimësisë, motorin e përdorur e braktisën dhe i vunë flakën, duke fshirë kështu një nga provat kryesore të krimit. Motorri ishte i markës Yamaha, i vitit 1998, pa numër shasie, dhe policia po përpiqet të zbulojë identitetin e tij përmes karakteristikave të tjera teknike, në bashkëpunim me autoritetet partnere.
Sa i përket armëve të përdorura – dy kallashnikovëve – deri tani nuk ka asnjë gjurmë.
Hetuesit dyshojnë se në ngjarje është përfshirë edhe një person i tretë, i cili mund të ketë ndihmuar në largimin e autorëve pas braktisjes së motorit në Fikas. Në terren po vijon verifikimi i pamjeve të kamerave të sigurisë për të zbuluar lëvizjet e mëtejshme të atentatorëve.
Nga hetimet e deritanishme është zbuluar se autorët janë nisur nga fshati Vishnjë, kanë kaluar nëpër Picallë dhe më pas kanë mbërritur në Lundër. Aty janë fshehur për rreth 5 minuta, derisa në rrugë është shfaqur automjeti tip “G-Class”, ku udhëtonin dy vëllezërit e mitur Demiraj, një mik i tyre dhe shoferi. Të katërt u plagosën rëndë nga breshëria e armëve automatike.
Motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta. Policia po heton në dy pista: njëra lidhet me një ngatërrim të mundshëm të objektivit, ndërsa tjetra me ndonjë konflikt të pronarit të shoqërisë “Pelikani Security”.
Ndërkohë, uniformat blu po verifikojnë të gjitha automjetet e tipit të ngjashëm me atë që u qëllua, të cilat frekuentojnë zonën rezidenciale në Lundër, si dhe mjetet që kanë qarkulluar në unazën lindore mbrëmjen e 17 prillit. /Versus.al/








