
Vezët me salmonelë, të shpërndara në kopshtin publik nr. 1 në Gramsh, helmuan 17 fëmijë dhe 1 psikologe. Burime për “Alert.al” raportojnë se produkti vinte nga kompania “Xhenis Sh” sh.p.k., me seli në Shkodër. Kjo kompani është në pronësi të Belma Çelës, bashkëshortja e deputetit aktual të PS-së, Agron Çela.
Çela, i cili u zgjodh deputet i LSI-së në vitin 2021, iu bashkua Partisë Socialiste përpara zgjedhjeve lokale të 2023. Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, ai “u shpërblye” nga PS duke futur vajzën e tij, Xhenis Çela, në listën fituese të Shkodrës, e cila pritet të zërë vendin e të atit në shtator.
Kompania “Xhenis Shpk” ka qenë më parë në emër të vetë Agron Çelës, i cili në vitin 2013 ia kaloi të gjitha aksionet bashkëshortes së tij. Çela zotëron gjithashtu disa hotele luksoze në zonën e Shkodrës dhe Velipojës, ndërsa raportime mediatike kanë përmendur edhe interesin e tij për marrjen e Vilës Qeveritare.
Ngjarja në kopshtin nr 1 të Gramshit ndodhi më 20 maj, por mbeti e pazbuluar për ditë të tëra. Vetëm pas një denoncimi publik të bërë nga një familjar, i cili publikoi rezultatet e analizave të nipit të tij, u bë publike situata.Versus.al







