
Gjykata e Posaçme ka dënuar me 10 muaj burg Aleksandër Laho, të njohur ndryshe me emrin Pëllumb Muharremi apo “Rrumi i Shijakut” për akuzën e korrupsionit.
Prokuroria e Posaçme (SPAK) kërkoi 3 vite burg, ndërsa GJKKO e dënoi me 1 vit e 3 muaj burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, “Rrumi” do të vuajë 10 muaj burg në total.
Sipas hetimeve të SPAK, rezulton se Aleksandër Laho i ka dhënë zyrtarit të avokatit të shtetit Irgen Kërçuku shumën prej 600 mijë lekësh ndërsa i ka premtuar dhe 300 mijë të tjera me qëllim që të mos e ankimonte çështjen e pronësisë.
Shuma iu dha Kërçukut në formë ryshfeti në mënyrë që të mos ankimonte në Apel vendimin e lidhur me 45 mijë metra katrorë publike në Gjirin e Lalzit.
Laho nuk është emër i panjohur për drejtësinë pasi mbeti i plagosur në vitin 2019 në atentatin e kryer ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja. Në atë kohë atij iu sekuestrua telefoni dhe u zbulua se po komunikonte me Kërçukun për rastin korruptiv. Këtë e ka pranuar edhe vetë zyrtari i cili është dënuar me 2 vite burg për akuzën e korrupsionit. Versus.al








