Kosova renditet e para në Evropë dhe e treta në botë sa i takon sigurisë. Këtë e tregon edhe “Gallup Global Safety Raport” i cili në listën që ka publikuar në vitin 2025 e rendit Kosovën shumë lart sa i takon ndjenjës së sigurisë së qytetarëve dhe besimit ndaj institucioneve dhe zbatimit të ligjit.
Nëpërmjet një komunikate zyrtare, policia bën me dije se Kosova ka arritur nga 94 pikë nga 100 të mundshme në indeksin e ligjit dhe rendit duke u renditur menjëherë pas Taxhikistanit (97 pikë) dhe Singaporit (95 pikë) si tre vendet më të sigurta në botë.
Ky rezultat e bën Kosovën vendin më të sigurt në Evropë, duke lënë pas shtete të zhvilluara si Islanda, Norvegjia, Austria dhe Zvicra. Sipas raportit, 89% e qytetarëve të Kosovës ndihen të sigurt duke ecur vetëm në zonën ku banojnë, përqindje që e vendos Kosovën në mesin e vendeve me nivelin më të lartë të perceptimit të sigurisë.
Sa i takon indeksit të besimit të qytetarëve ndaj institucioneve dhe zbatimit të ligjit si dhe rendit, Shqipëria renditet e 20-ta në Evropë. Versus.al







