AKTUALITET /

Ksamil/ U arrestua për dhunë ndaj policisë, të vëllait i zbulohet 'Exchange' i paligjshëm

Ngjarja ndodhi rreth orës 20.00 në Ksamil, kur Lilo Mera është konstatuar teksa ka parkuar gabim mjetin pranë biznesit të vëllait të tij

Shkruar nga M.H

Ksamil/ U arrestua për dhunë ndaj policisë, të vëllait

Lilo Mera, 26-vjeç është arrestuar nga policia ditën e sotme, pasi ishte shpallur në kërkim për kundërshtim të efektivëve të policisë dhe nuk kishte pranuar që të gjobitet për një shkelje të qarkullimit rrugor, duke ngritur dorë dhe dhunuar efektivët e policisë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 20.00 në Ksamil, kur Lilo Mera është konstatuar teksa ka parkuar gabim mjetin pranë biznesit të vëllait të tij.

Sapo efektivët kanë konstatuar shkeljen, kanë tentuar të procedojnë me lirimin e rrugës dhe gjobitjen e mjetit, por drejtuesi u ka marrë nga dora tabletin dhe ka kundërshtuar duke përdorur dhunë ndaj dy efektivëve.

Pas kësaj, ai është larguar me një automjet tip “Volvo” me targë AB997CE, i cili është gjetur më pas i fshehur në një rrugicë të Ksamilit, ndërkohë që kërkimet për kapjen e tij vazhdonin.

Gjatë kontrollit në biznesin e vëllait të tij, në afërsi të vendit të quajtur “4 Valltarët” në Ksamil, është konstatuar një tjetër shkelje.

Ai ushtronte pa licensë shërbimi të këmbimit valutor, me punëtorë të pasiguruar dhe pa lëshuar kupona tatimorë.

Policia ka sekuestruar 98.896 lekë, 368.3 euro, 26 paund dhe 2 Lap Top.

Për këtë është shoqëruar në Komisariatin e Policisë shtetasi D. M, 30 vjec.

Nga sektori i Krimit Ekonomiko-Financiar është proceduar penalisht në gjendje të lirë ky shtetas për veprat penale “punësim i paligjshëm”, “ushtrimi pa licensë i veprimtarive financiare”, “fshehja e të ardhurave” dhe “moslëshimi i kuptonit tatimor, dëftesës ose faturës tatimore”./ Versus.al

Poll