
Tiranë- Sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) është paraqitur ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako për t’u marrë në pyetje lidhur me zbulimet e bëra në dosjen e ish-deputetit socialist, Jurgis Çyrbja, i cili u arrestua më 20 tetor nën akuzë për 3 vepra të rënda penale.
Në komunikimet e zbardhura në Sky Ecc, u zbulua se për ta bërë deputet Çyrbjan, kishte ndërhyrë vetë kreu i klanit “Hajri” në Shijak, i shumëkërkuari Altin Hajri i cili kishte bërë ujdi që ish-deputeti të renditej i pesti në listën e kandidatëve për Durrësin.
Në listën përfundimtare të kandidatëve, Çyrbja renditej i treti. Vangjush Dako, i cili pak ditë më parë u dënua zyrtarisht me 2 vite e 8 muaj burg për shpërdorim detyre, do të pyetet nga prokurorët e posaçëm për ndikimin e tij në futjen e Çyrbjas në listat e kandidatëve të PS për deputetë në qarkun e Durrësit.
Ndaj Jurgis Çyrbjas rëndojnë akuzat për tre vepra penale. "Korrupsion aktiv zgjedhor", "përkrahje e autorit të krimit" dhe "tregtimi i sekretit shtetëror". Në dosjen e SPAK zbulohej sesi Çyrbja duke ndihmonte eksponentë të krimit që t’i shpëtonin ndjekjes së policisë duke u dhënë informacione sa herë që kishte operacione për kapjen e tyre në Durrës. Çyrbja po ashtu akuzohet për strehimin e kreut të klanit “Hajri”, Altin Hajri pasi ky i fundit ishte shpallur në kërkim për vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës në janar të vitit 2020. Versus.al








